A mund të ndryshojnë humorin, vetëbesimin dhe ndjesinë e afërsisë me të tjerët vetëm pak minuta komunikim me njerëz që nuk i njohim? Një eksperiment i thjeshtë tregoi se edhe kontaktet e shkurtra mund të kenë ndikim.
None found
Çdo ditë kalojmë pranë dhjetëra të panjohurve, qoftë në autobus, park, dyqan, palestër apo gjatë pritjes së fëmijëve pas aktiviteteve të tyre. Megjithatë, me shumicën prej tyre nuk shkëmbejmë asgjë më shumë se një vështrim.
Për të kuptuar se çfarë efekti mund të kenë këto ndërveprime, gazetarja dhe shkrimtarja Katharine Chan ndërmori një sfidë shtatëditore. Rregulli ishte i thjeshtë: çdo ditë, ajo duhej të hapte vetë një bisedë me dikë që nuk e njihte.
Për Chan, komunikimi spontan nuk vinte natyrshëm. Ajo tregon se bashkëshorti i saj mund t’i çojë fëmijët në futboll dhe të kthehet prej andej me numrat e telefonit të personave që sapo ka takuar.
Ndryshe prej tij, ajo shkonte shpesh për t’i marrë fëmijët me syze dielli dhe kapelë, me shpresën se askush nuk do ta përfshinte në ndonjë bisedë.
Edhe natyra e punës së saj si shkrimtare e mbante pjesën më të madhe të ditës përpara ekranit, ndërsa komunikimi zhvillohej kryesisht përmes mesazheve dhe email-eve. Bisedat e drejtpërdrejta i kishte zakonisht me bashkëshortin dhe, herë pas here, me ndonjë prind tjetër.
Kjo rutinë e shtyu të mendonte nëse gabimisht kishte krijuar bindjen se njohjet e reja kërkonin medoemos shumë energji dhe kohë. Nga kjo pyetje lindi eksperimenti, transmeton Telegrafi.
Në ditën e parë, ajo iu drejtua kujdestarit të shkollës ku mësonin fëmijët e saj. Një pyetje e zakonshme hapi rrugën për një rrëfim mbi emigrimin dhe familjen.
Kujdestari i tregoi se si kishte mbërritur në Kanada, ndërsa historia e tij e bëri Chan të mendonte për prindërit e saj, të cilët kishin emigruar dekada më parë.
Ndonëse e kishte parë shumë herë në ambientet e shkollës, ajo kuptoi papritur se pas atij personi qëndronte një histori e tërë. Ky komunikim do të mbetej një nga përjetimet më të bukura të sfidës së saj.
Ditën e dytë, mundësia për një tjetër njohje u shfaq teksa Chan priste që vajza e saj të përfundonte kursin e ukuleles. Pranë saj u ul një nënë tjetër dhe gazetarja e pyeti vetëm nëse dita e saj kishte qenë e ngarkuar.
Pyetja e shkurtër u kthye natyrshëm në një bisedë për lodhjen, fëmijët dhe vështirësitë e prindërimit. Të dyja qeshën dhe, kur u larguan, patën ndjesinë se ndoshta do të komunikonin sërish në takimin tjetër.
Nuk ndodhi asgjë e pazakontë, por pikërisht aty qëndronte kuptimi i përvojës: për t’u ndier të lidhur me dikë, jo gjithmonë nevojitet një bashkëbisedim i gjatë.
Përpjekja e ditës së tretë u zhvillua në këndin e lojërave, ku Chan tentoi të fliste me një baba që po kujdesej për vajzën e tij të vogël.
Ky komunikim përfundoi shpejt, pasi vëmendja e burrit ishte e përqendruar te fëmija dhe çasti nuk ishte i përshtatshëm për të biseduar.
Megjithatë, ajo nuk e konsideroi këtë përvojë si dështim. Përkundrazi, kuptoi se jo të gjithë kanë mundësi ose dëshirë të flasin në çdo moment dhe se kjo është krejt normale.
Në një ditë tjetër të eksperimentit, një qen krijoi rastin për një komunikim të ngrohtë mes Chan, vajzës së saj dhe një çifti të moshuar.
Situata në palestër rezultoi më e vështirë. Pothuajse të gjithë mbanin kufje dhe dukeshin të përqendruar në stërvitje, ndaj ajo mundi të shkëmbente vetëm pak fjali me një punonjës.
Edhe ky rast i dha një tjetër mësim: disa mjedise e favorizojnë më shumë komunikimin mes njerëzve, ndërsa të tjera janë më pak të përshtatshme.
Një prej përvojave më emocionuese ndodhi në bibliotekë. Chan dhe fëmijët e saj i ofruan ndihmë një gruaje të moshuar që përdorte karrocë, ndërsa gjesti i vogël u pasua nga një bisedë rreth familjes dhe nipërve.
Para se të ndaheshin, e moshuara i tha Chan se ishte një nënë e mirë dhe se duhej të vazhdonte atë që po bënte.
Ndonëse erdhën nga një grua të cilën nuk e kishte takuar asnjëherë më parë, ato pak fjalë ishin të mjaftueshme për t’ia zbukuruar të gjithë ditën.
Sfida u mbyll me një takim të rastësishëm në supermarket. Pranë sektorit të mishit, Chan nisi të komunikonte me një grua, e cila rezultoi se ishte kuzhiniere profesioniste.
Ajo i tregoi gazetares se si mund t’i dallonte pjesë të ndryshme të mishit dhe çfarë duhej të kishte parasysh për të përzgjedhur një biftek të mirë.
Më vonë, vajza e Chan i tha se kishte bërë mirë që kishte folur me atë grua. Në atë moment, gazetarja kuptoi edhe një vlerë tjetër të takimeve të rastësishme: njerëzit që kalojnë pranë nesh mund të zotërojnë njohuri që nuk do t’i merrnim kurrë nëse nuk do t’u drejtonim fjalën.
Në psikologji, kontakte të tilla njihen si “lidhje të dobëta”. Ato nuk kanë afërsinë e marrëdhënieve familjare apo miqësive, por mund të japin një kontribut pozitiv në mirëqenien tonë.
Sipas psikologut Harry Cohen, ndërveprimet e vogla shoqërore mund ta pakësojnë vetminë, ta përmirësojnë humorin dhe ta forcojnë ndjenjën se i përkasim një komuniteti.
Psikoterapistja Terri Cole përmend gjithashtu një studim, në të cilin pjesëmarrësit që kishin komunikuar me një të panjohur gjatë udhëtimit me tren ose autobus raportuan humor më të mirë krahasuar me ata që kishin qëndruar vetëm.
Pas shtatë ditëve, Chan nuk kishte krijuar shtatë miqësi të reja dhe jeta e saj nuk kishte pësuar ndonjë transformim rrënjësor. Ajo që ndryshoi ishte këndvështrimi i saj ndaj njerëzve përreth.
Gazetarja nisi ta priste me kureshtje ditën pasuese, duke pyetur veten se kë mund të takonte dhe cilën histori do të kishte mundësinë të dëgjonte.
Nga të gjitha përvojat, më e paharrueshmja mbeti biseda me kujdestarin e shkollës. Ai kishte qenë prej kohësh aty, por Chan nuk e kishte njohur asnjëherë në të vërtetë.
Vetëm disa minuta komunikim kishin mjaftuar që të dy ta vazhdonin ditën duke u ndier më mirë.
Cohen sugjeron që hapi i parë të jetë fare i vogël: një buzëqeshje, një përshëndetje për fqinjin, një “mirëmëngjes” ose gatishmëria për t’i ofruar dikujt ndihmë.
Qëllimi nuk është që çdo takim të shndërrohet me detyrim në miqësi. Ideja është të mos shpërfillet ndikimi që mund të kenë kontaktet e vogla mes njerëzve.
Në përfundim të eksperimentit, Chan kuptoi se tejkalimi i zonës së rehatisë nuk nënkupton gjithmonë ndërmarrjen e hapave të mëdhenj.
Ndonjëherë, disa minuta bisedë me një njeri të panjohur mjaftojnë për ta bërë ditën më interesante, për të ndikuar pozitivisht në humor dhe për të na kujtuar se bota ku jetojmë është shumë më e ndërlidhur nga sa mund të mendojmë.
Më shumë se 14 muaj pas largimit nga Liverpooli drejt Real Madridit, Trent Alexander-Arnold është gati të nisë sezonin e…
Mëngjesin e sotëm 9 gusht 2026, një ngjarje tragjike ka ndodhur në Ksamil, ku një vajzë 4-vjeçare ka humbur jetën,…
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar ashpër pas disa ngjarjeve të rënda kriminale të regjistruara gjatë ditës së…
Bashkimi Demokratik për Integrim (BD) - Dega në Çair ka reaguar pas përdhosjes së muraleve me figurën e Adem Jasharit,…
Armando Broja u raportua dje si pjesë e lojtarëve, që janë lënë jashtë si zgjedhje për Bërnlin në “Carabao Cup”.…
Stavro PiloStavro Pilo do të vijojë të mbetet pjesë e AEK-ut të Athinës [...]Read More...