“Mrekulli …”, shkencëtarët arrijnë të shohin procesin e “vetë-shërimit” te metalet

Shkencëtarët kanë regjistruar kohët e fundit një “proces të mrekullueshëm të vetë-shërimit” në metale, e cila gjë ishte hera e parë. Tingëllon e çuditshme? Po, ishte e çuditshme edhe për ekspertët.

Përkatësisht, ekipi nga Sandia National Laboratories dhe Texas A&M University testuan rezistencën e metalit në vakum duke tërhequr skajet e metalit 200 herë.

Më pas ata vunë re se një copë platini me trashësi 40 nanometra u riparua vetë, domethënë i “rregullojë” vetë çarjet. Pas rreth 40 minutash vëzhgimi, çarja në platin filloi të ringjitej dhe të riparohej.

“Ishte e mahnitshme. Ne zbuluam se metalet kanë aftësinë e tyre të brendshme, natyrore vetë-shëruese, të paktën në rastin e dëmtimit të lodhjes në shkallë nano”, tha eksperti i materialeve Brad Boyce nga Sandia National Laboratories.

Për momentin, shkencëtarët ende nuk i dinë kushtet e sakta në të cilat zhvillohet ky proces, çfarë ndodh saktësisht dhe si mund të përdoret në teknologjitë e reja. Mund të jetë një epokë krejtësisht e re në inxhinieri, shkruan sciencealert.

Për shembull, imagjinoni se çfarë ndryshimesh do të ndodhin në jetën tonë nëse pjesë të urave ose makinerive mund të riparoheshin ose mirëmbaheshin vetë? Po, tingëllon si fantashkencë, por kush e di se çfarë na pret e ardhmja.

“Nga nyjet në pajisjet tona elektronike, motorët e veturave e deri te urat mbi të cilat lëvizim, të gjitha këto struktura shpesh dështojnë në mënyrë të paparashikueshme për shkak të ngarkimit ciklik që dërgon në çarje dhe thyerje. Kur shfaqen probleme, duhet të përballemi me koston e zëvendësimit të pjesëve, me shumë kohë të humbur, e në disa raste edhe lëndime apo humbje jete”, tha Boyce.

Është gjithashtu interesante që vetë-riparimi automatik ndodhi në temperaturën e dhomës. Metali zakonisht ndryshon formën në temperatura të larta. Duke qenë se eksperimenti u krye në vakum, mbetet për t’u parë nëse i njëjti proces do të përsëritet për metalet konvencionale në një mjedis tipik.

 


Shtuar 28.07.2023 22:03