Sëmundjet e zemrës janë shkaku kryesor i vdekjeve në vendin tonë. Edhe pse janë moshat e vjetra më të ekspozuara, nuk përjashtohet rreziku edhe tek të rinjtë.
Mjeku kardiolog, Andri Çabeli, thotë se në moshat e reja sëmundjet kardiake janë të lindura më së shumti
“Moshat e reja mund të jenë të prekura nga sëmundjet e reja, por tek këto mosha ne shumicën e rasteve i etiketojmë të lindura. Mund të ketë dhe sëmundje që fitohen siç është miokarditi, dëmtimi i muskulit të zemrës që vjen pas një infeksioni dhe janë raste të rralla dhe pse kur ndodhin kanë dëmtime të mëdha për shëndetin”, ka thënë mjeku.
Kur sëmundjet e zemrës janë të lindura, është e vështirë të diagnostikohen në kohë. Mjeku ka një këshillë për prindërit, se kur duhet të tregohen vigjilent ndaj fëmijëve.
“Shpeshherë shumë sëmundje zemre mund të ngelin për shumë vite dhe diagnostifikohen në mosha madhore duke sjellë dëmtimin e zemrës pa e kuptuar. Padiskutim që simptomat kardiake janë të ngjashme si në moshat e reja ashtu dhe të vjetra dhimbje gjoksi dhe pengesa në frymëmarrje. Tek fëmijët lidhet me faktin e vonesës në rritje dhe në zhvillim, një faktor që ne duhet të dyshojmë”, është shprehur ndër të tjera ai.
Kohët e fundit, të rinjtë po tregohen më të kujdesshëm për shëndetin e tyre. Numri i vizitave te mjeku është shtuar ndjeshëm kjo dhe për shkak të Covid, që siç dihet, shkakton sëmundje të zemrës.