Gati tre mijë vjet pas krijimit të “Odisesë”, parimi i lashtë që lidhej me mikpritjen, respektin dhe drejtësinë vazhdon të përcjellë një mesazh të fuqishëm edhe në botën moderne.
None found
Në epin e famshëm të Homerit, ky parim njihet si “Ligji i Zeusit”. Për grekët e lashtë ai kishte një rëndësi aq të madhe, sa besohej se kushdo që e shkelte mund të ndëshkohej drejtpërdrejt nga perënditë.
Ky motiv zë një vend qendror edhe në filmin e ri “Odisea”, me regji të Christopher Nolan. Sipas regjisorit, pas shumë prej ngjarjeve të veprës qëndron një rregull sa i thjeshtë, aq edhe i fuqishëm: të huajt duhet të trajtohen me respekt.
“Ligji i Zeusit” nuk ishte një ligj i shkruar në libra juridikë, siç ndodh me legjislacionin e sotëm. Ai përbëhej nga një grup normash morale të vendosura nën mbrojtjen e Zeusit, perëndisë supreme të grekëve, dhe përfshinte mikpritjen, mbajtjen e betimeve, drejtësinë dhe mënyrën e sjelljes me njerëzit e panjohur.
Në themel të tij qëndronte “ksenia”. Sipas këtij detyrimi të shenjtë, nikoqiri duhej t’i siguronte çdo mysafiri ushqim, strehë dhe mbrojtje, pa marrë parasysh identitetin apo vendin nga vinte.
Në një intervistë për “Los Angeles Times”, Christopher Nolan ka thënë se kuptimi i këtij parimi përputhet me atë që në ditët e sotme quhet “rregulli i artë”.
“Është rregulli i artë: sillu me të tjerët ashtu siç dëshiron që ata të sillen me ty. Pjesërisht sepse një njeri i zakonshëm mund të jetë një perëndi e maskuar, por edhe sepse vetëm kështu një shoqëri mund të funksionojë. Njerëzit duhet të udhëtojnë, të tregtojnë dhe shpesh varen nga mirësia e njerëzve krejtësisht të panjohur”, ka deklaruar Nolan, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, “ksenia” nuk vendoste detyrime vetëm mbi nikoqirin. Edhe personi që pranohej si mysafir duhej të respektonte disa përgjegjësi.
Abuzimi me mikpritjen, zgjatja e qëndrimit përtej asaj që konsiderohej e hijshme ose mungesa e respektit ndaj nikoqirit shiheshin si shkelje të një norme të shenjtë, për të cilën mysafiri meritonte të ndëshkohej.
“Keqpërdorimi i këtij rregulli ka pasoja të tmerrshme. Çdo hakmarrje ka çmimin e vet dhe dhuna është shprehja më e drejtpërdrejtë e saj”, ka shpjeguar Nolan.
Për këtë arsye, një pjesë e madhe e ngjarjeve të “Odisesë” shfaqen si shpërblime ose pasoja që burojnë nga respektimi apo shkelja e këtij ligji të lashtë.
Mbreti Menelau përfaqëson një nga modelet më të qarta të zbatimit të “ksenisë”. Kur Telemaku shkon në Spartë për të kërkuar të dhëna rreth babait të tij, Odiseut, Menelau e mirëpret me nderim, i shtron ushqim dhe ndan me të informacione të vlefshme. Para largimit, ai e përcjell gjithashtu me dhurata.
Për shoqërinë e Greqisë së lashtë, kjo mënyrë e trajtimit të mysafirit përbënte shembullin ideal që duhej ndjekur.
Në skajin e kundërt qëndron ciklopi Polifem, një prej figurave negative më të njohura të gjithë rrëfimit. Udhëtarët që hyjnë në shpellën e tij nuk priten si mysafirë, por sulmohen dhe hahen prej tij, duke e bërë sjelljen e Polifemit një nga shkeljet më të rënda të “Ligjit të Zeusit”.
Pasojat janë të menjëhershme dhe brutale: Odiseu e verbon Polifemin. As prejardhja e tij si bir i Poseidonit nuk arrin ta mbrojë nga ndëshkimi.
Një tjetër rast ku ky rregull respektohet lidhet me Eumeun, bariun e thjeshtë të derrave. Pas endjeve të gjata, Odiseu kthehet në shtëpi i maskuar si lypës dhe pranohet prej tij.
Edhe pse nuk e njeh identitetin e vërtetë të mysafirit, Eumeu i jep ushqim, strehë dhe përkujdesje, pa kërkuar asgjë si shpërblim. Kjo sjellje e rendit atë mes personazheve më të ndershme dhe më fisnike të eposit.
Por “Odisea” e bën të qartë se faji nuk u përkiste vetëm nikoqirëve. Kur shokët e Odiseut mbërrijnë në ishullin e magjistares Kirke, ata kërkojnë të mirëpriten, por më pas abuzojnë me mikpritjen që u ofrohet.
Ata e teprojnë me ushqimin dhe pijen, ndërsa nuk tregojnë respektin e nevojshëm. Si ndëshkim, Kirke i shndërron në derra, në një skenë që është bërë ndër më të njohurat e mitologjisë greke.
Një nga paraqitjet më kuptimplota të “Ligjit të Zeusit” gjendet që në nisje të rrëfimit. Telemaku hap shtëpinë për një udhëtar të panjohur, e ushqen dhe vetëm pasi e ka mirëpritur e pyet për identitetin.
Më pas bëhet e ditur se udhëtari ishte perëndesha Atena, e cila ishte fshehur pas pamjes së një njeriu të zakonshëm.
Kështu, mësimi i “Odisesë” mbetet i kuptueshëm edhe sot: askush nuk mund ta dijë me siguri se kë ka përballë, prandaj respekti për të panjohurin shkon përtej mirësjelljes së zakonshme.
Për grekët e lashtë, ky nuk ishte vetëm një standard sjelljeje të mirë. “Ligji i Zeusit” përcaktonte se kush do të fitonte favorin e perëndive dhe kush do të ndëshkohej prej tyre.
Barcelona thuhet se është në prag të sigurimit të mbrojtësit portugez Joao Cancelo në një transferim të përhershëm me vlerë…
Alpinisti i njohur nepalez Nirmal Purja, i cili hyri në histori pasi ngjiti të 14 majat mbi 8 mijë metra…
Tre persona janë arrestuar mbrëmjen e 31 korrikut në zonën kufitare të Bllacës, pasi u kapën në flagrancë duke ngarkuar…
Kryeministri në detyrë i vendit Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë gërmimeve në Kalludër të Zubin Potokut janë…
Në ditën e pestë të kërkimeve për zbardhjen e një prej plagëve më të rënda të luftës në Kosovë, kryeministri…
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, u ka dërguar një letër institucioneve të Bashkimit Evropian, ku shpreh “shqetësimin serioz” për reagimin…