Shkrimtari kosovar Lan Qyqalla ka fituar çmimin e dytë në edicionin e shtatë të Çmimit Ndërkombëtar për Letërsi dhe Arte Pamore “Ciò che Caino non sa” (“Çfarë nuk di Kaini”), zhvilluar në Itali. Ai u dallua për tregimin e tij “Gruaja që nuk pranoi të heshtë”.
Të lidhura
None found
Aktiviteti kulturor mblodhi në një platformë të përbashkët krijues nga e gjithë bota, përfshirë shkrimtarë, filozofë, artistë, kompozitorë, gazetarë, muzikantë, psikologë dhe fotografë.
Në kategorinë e tregimit për autorët që banojnë jashtë Italisë, Qyqalla u rendit i dyti me veprën “Gruaja që nuk pranoi të heshtë”. Para tij qëndroi një autor nga Panamaja, ndërsa pas tij një shkrimtare greke.
Ndarja e çmimeve u organizua në qytetin Foggia, ku morën pjesë figura të spikatura nga bota e artit, kulturës, letërsisë, shkencës dhe filozofisë. Në sallë ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Universitetit të Barit, anëtarë të jurisë, autoritete institucionale si dhe drejtuesja e çmimit, Maria Teresa Infante La Marca.
Amfiteatri i mbushur me të ftuar dhe vizitorë priti shpërndarjen e vlerësimeve për personalitetet më të shquara në disiplina të ndryshme artistike, letrare dhe kulturore.
Një çast i veçantë i mbrëmjes iu kushtua autorit nga Kosova, i cili pati mundësinë të flasë për dimensionet ideore dhe artistike të krijimit të tij. Tregimi “Gruaja që nuk pranoi të heshtë” prek një problematikë delikate dhe të kohës, në harmoni me misionin e këtij çmimi ndërkombëtar, që synon ndërgjegjësimin kundër dhunës me bazë gjinore dhe asaj ndaj fëmijëve.
Ky sukses cilësohet si një arritje e rëndësishme për letrat shqipe dhe një lajm inkurajues për kulturën në Kosovë, veçanërisht për Fushë Kosovën, prej nga vjen shkrimtari.
Ndër të tjerë të nderuar gjatë festivalit ishte edhe poeti shqiptar Nikollë Loka, të cilit iu akordua Çmimi i Ekselencës në fushën e poezisë.
Pasi mori vlerësimin, Qyqalla falënderoi Akademinë e Arteve dhe Shkencave Filozofike të Barit dhe organizatorët e festivalit, duke uruar gjithashtu kolegët e tjerë fitues që u bënë pjesë e këtij evenimenti kulturor e artistik.
“Këtë çmim të dytë, të arritur në një garë ndërkombëtare me pjesëmarrës nga shumë shtete të botës, ia dedikoj mbesës sime të shtrenjtë, Arilës, e cila është vetëm tre vjeçe. Uroj që ajo, me talentin, angazhimin dhe ëndrrat e veta, të shkojë edhe më tej se gjyshi i saj dhe një ditë të nderohet me Çmimin Nobel në letërsi, shkencë apo inovacion”, u shpreh Qyqalla.
