Cili shtet i botës ka më shumë festa zyrtare, ja ku renditet Shqipëria

Pavarësisht nëse është festë kombëtare, festival fetar, ose thjesht një minimum i mandatuar për ditët e pushimeve me pagesë, çdo vend ka rregulla të ndryshme, që vendosin pragun bazë të pushimit me pagesë për punonjësit.

Resume.io analizoi ligjet për pushimet me pagesë dhe festat publike me pagesë, në çdo vend të botës dhe krijoi një paraqitje grafike, për të parë sasinë minimale të ditëve të pushimeve që punonjësit kanë të drejtë, të paktën në letër.

Shqipëria renditet ndër vendet mesatare sa së bashku me Danimarkën, Qipron, Egjiptin, Mauritius, Afrikën e Jugut dhe disa vende në Afrikë, me gjithsej 34 ditë pushimi. Këtu përfshihen festat zyrtare dhe ditët e pushimit të paguara që marrin punonjësit nga kompania. Shqipëria ka 14 ditë festa publike zyrtare dhe 20 ditë pushime për punonjësit, të paguara me ligj (këto të fundit janë ditët që përcaktohen me ligj si leje vjetore, ndërsa nuk ka të dhëna se sa zbatohen këto ditë, sidomos në subjektet private- Shënim i Monitor).

Ndërsa Kosova vjen pas saj, me 31 ditë pushimi të paguara gjithsej në vit.

Në krye të listës është Irani me gjithsej 53 ditë pushimesh, të ndara pothuajse në mënyrë të barabartë midis festave publike dhe pushimeve me pagesë.

Shqipëria, ndër vendet me më shumë festa zyrtare në Europë

Sipas hartës për festat publike, Shqipëria është ndër vendet që ka më shumë ditë zyrtare pushimi në Europë, me 14 ditë gjithsej. Rekordin e mbajnë Islanda (16) dhe Lituania e letonia me nga 15. Në rajon, Kosova dhe Serbia kanë nga 11 ditë festa zyrtare, Maqedonia e Veriut 12, Bosnjë Hercegovina 10 dhe Mali i Zi 8. Në Europë më pak festat zyrtare ka Greqia me vetëm 6 ditë në vit.

Vendet me numrin më të ulët të pushimeve të paguara

Të dhënat në studim përqendrohen në dy lloje pushimesh me pagesë: festat publike dhe ditët e pushimeve me pagesë. Kombinoni ato së bashku dhe keni shumën totale të pushimit të paguar.

Disa vende afrikane, Europiane dhe të Azisë Qendrore, duke përfshirë Togon (43), San Marinon (46) dhe Jemenin (45), kanë qenë jashtëzakonisht bujarë me ditët e pushimeve.

Ndërkohë, të tjera, duke përfshirë vendet oqeanike të Mikronezisë (9) dhe Nauru (10), renditen në fund të listës. Shtetet e Bashkuara janë të barabarta me Naurun në vendin e dytë të fundit, me punonjës me vetëm 10 ditë pushimi në vit.

Cilat vende kanë ditët më të paguara të pushimit?

Nëse punoni me kohë të plotë dhe i kushtoni 40 orë në javë vendit tuaj të punës, shumë vende besojnë se ju meritoni pushim.

Në shumicën e vendeve, ekzistojnë ligje për të siguruar leje ligjore për punonjësit. 22 vende kanë një politikë bujare pushimi 30-ditore, me 10 vende në kontinentin afrikan.

Megjithatë, shuma e pushimit të paguar në mbarë botën, shpesh varet nga qëndrimi i punonjësit. Dhe jo të gjitha vendet kanë të njëjtat minimume, pasi SHBA, Nauru, Mikronezia dhe Kiribati, kanë zero ditë pushimi me pagesë të mandatuar.

Është e rëndësishme të theksohet se kjo nuk do të thotë, që të gjithë punonjësit në këto vende kanë zero leje me pagesë. Kjo do të thotë se varet nga punëdhënësi, me disa kompani që përdorin leje bujare me pagesë për të joshur punonjës të aftë, ndërsa të tjerat nuk ofrojnë asnjë.

Shqipëria dhe Kosova renditen në vendet të cilat i rregullojnë dhe përcaktojnë ditët e pushimeve për punonjësit me ligj, me rreth 20 ditë pushimi të paguar vjetor, në të njëjtin nivel me vendet e Ballkanit, Belgjika, Bullgaria, Gjermania, Hungaria, Italia, Holanda, Zelanda e Re etj.

Cilat vende kanë më shumë pushime publike?

Vendet në mbarë botën festojnë festat zyrare për raste të ndryshme. Ata nderojnë ngjarje të rëndësishme kombëtare, kulturore dhe fetare.

Përsëri, numri i këtyre ditëve mund të ndryshojë në mbarë botën. Irani ofron numrin më të madh të festave publike me pagesë në botë me një total prej 27 ditësh në vit duke përfshirë Ditën e Republikës Islamike. Pasohet nga Bangladeshi (24), Azerbajxhani (21) dhe Kamboxhia (21).

Shqipëria renditet në mes me 14 ditë festa zyrtare, ndërsa Kosova ka 11 ditë.

Në ekstremin tjetër, Libia nuk ka pushime publike me pagesë, ndërsa Libani ka vetëm dy festa publike me pagesë në vit.

Dhe jo çdo ditë festë është festë zyrtare. Për shembull, pavarësisht se ka një bollëk festash dhe ditësh me rëndësi kombëtare, India ka vetëm tre festa kombëtare të paguara: Ditën e Republikës, Ditën e Pavarësisë dhe ditëlindjen e Mahatma Gandhit.

Megjithatë, India është gjithashtu një shembull i mirë i vendeve, që ofrojnë gjithashtu pushime në nivel shtetëror. Çdo rajon i vendit, ka autoritetin të shtojë në listën e tij të festave me pagesë, në varësi të të festave fetare, kulturore dhe historike. / Visual Capitalist-Monitor


Shtuar 14.03.2023 00:00