Çfarë ndodh në rrugët e frymëmarrjes kur pini duhan?

Pirja e duhanit shkakton sëmundje të rëndësishme të mushkërive duke dëmtuar rrugët e frymëmarrjes dhe qeskat e vogla të ajrit (alveolat) që gjenden në mushkëri.

Dëmtimet në mushkëri mund të jenë të shpejta, që zgjasin vetëm për një kohë të shkurtër si psh: ftohjet dhe pneumonia. Ndryshime të tjera, më kronike ndodhin ngadalë dhe mund të zgjasin gjatë gjithë jetës – si bronkiti kronik, emfizema, bronkektazia, etj. Pirja e duhanit shkakton shumicën e rasteve të kancerit të mushkërive gjithashtu.

Në pacientët me astmë bronkiale (te të rriturit), pirja e duhanit mund të çojë në më shumë simptoma të astmës, përkeqësime më të shpeshta dhe më të rënda të astmës, kontroll më të keq të saj edhe pse me mjekim dhe më pak përfitime nga disa medikamente të astmës. Mund të kufizojë gjithashtu nivelin e aktivitetit fizik dhe të përkeqësojë cilësinë e jetës.

Duhanpirësit kanë 12-13 herë më shumë gjasa të humbasin jetën nga SPOK (Sëmundja Pulmonare Obstruktive Kronike) sesa joduhanpirësit.

Çfarë ndodh në rrugët e frymëmarrjes kur pini duhan?

Në rrugët ajrore si përgjigje ndaj tymit te duhanit, rritet sasia e sekrecioneve dhe viskoziteti i tyre të cilat bëhen ambient favorizues për infeksione të shpeshta. Kjo sasi e shtuar e sekrecioneve nuk mund të pastrohet në mënyrë efektive dhe qëndron në rrugët e frymëmarrjes, duke i bllokuar ato. Si refleks mbrojtës i rrugëve ajrore fillon kolla kronike me anë të së cilës mushkëria tenton t’i nxjerrë jashtë saj.

Pirja e duhanit për një kohë të gjatë shkakton ngushtim të rrugëve ajrore që do të thotë më pak fluks ajri hyn në rrugët ajrore. Edhe një ose dy cigare shkaktojnë acarim dhe kollë. Ky ngushtim mund të jetë i rikthyeshëm pjesërisht ose plotësisht, psh në pacientët që vuajnë nga astma bronkiale dhe pinë duhan ose i parikthyeshëm në pacientët që vuajnë nga një sëmundje kronike e mushkërive e quajtur SPOK.

Duhanpirja shkakton gjithashtu edhe dëmtim të indit të mushkërive duke zvogëluar numrin e hapësirave ajrore dhe enëve të gjakut gjë që rezulton në më pak oksigjen në organet kryesore të trupit.

Për arsyet e mësipërme dhe për shumë të tjera subjektet që pinë duhan me ose pa sëmudje kronike të njohura të mushkërive duhet të kontrollohen te mjeku pneumolog për të vlerësuar gjendjen aktuale të funksionit të mushkërisë në mënyrë që të merren masa sa më herët në rastet kur ka filluar dëmtimi i mushkërive veçanërisht në stadet e para.


Shtuar 30.06.2023 08:20