Categories: lifestyle

Çfarë duhet të bëni fillimisht nëse super ngjitësi ju bashkon gishtat

Dermatologu paralajmëron se përdorimi i forcës dhe i mjeteve të mprehta mund të shkaktojë dëmtime serioze në lëkurë

Nëse gjatë punëve të shtëpisë përfundoni me gishtat të ngjitur me njëri-tjetrin, ose ngjisni pa dashje diçka që nuk ishte në plan, super ngjitësi mund të kthehet shpejt në një telash. Kjo ndodh për shkak të cianoakrilatit, përbërësit shumë të fuqishëm që gjendet te super ngjitësi dhe produkte të ngjashme, i cili nuk hiqet lehtë.

Të lidhura

None found

Mënyra më e thjeshtë për ta larguar ngjitësin nga lëkura

Dr. John Anthony, dermatolog në Cleveland Clinic, shpjegon se si mund të hiqet super ngjitësi nga lëkura.

“Lajmi i mirë është se gishtat tuaj nuk do të mbeten të ngjitur përgjithmonë. Edhe pse super ngjitësi është jashtëzakonisht i fortë, ai nuk është i përhershëm dhe lidhja mund të shkëputet. Zgjidhja më e thjeshtë është të provoni ta lani pjesën e ngjitur të trupit ose ta mbani të zhytur në ujë të ngrohtë me sapun. Sapuni i duarve ose detergjenti i enëve veprojnë mirë ndaj ngjitësit. Larja zakonisht e zbut ngjitësin dhe e dobëson lidhjen, sidomos nëse veproni brenda disa minutash, para se ai të forcohet plotësisht”, këshillon dr. Anthony.

Sipas tij, çelësi është durimi. Meqë super ngjitësi është prodhuar që t’i rezistojë ujit, mund të nevojiten 10 deri në 15 minuta derisa të fillojë të lirohet. Sapo të nisë të shkëputet, ai duhet fërkuar ose hequr me kujdes, pa e tërhequr fort, transmeton Telegrafi.

Edhe produktet me përmbajtje yndyrore ose vajore mund të ndihmojnë

Dr. Anthony thekson se produktet e yndyrshme ose ato me bazë vaji mund të depërtojnë nën shtresën e tharë të ngjitësit dhe të zbusin lidhjen e tij me lëkurën. Disa prej tyre gjenden lehtësisht edhe në shtëpi dhe janë të sigurta për përdorim në lëkurë, si:

vazelina

vaji për bebe

vaji mineral

vaji i ullirit

vaji i kokosit

vaji bimor

kremi për duar.

Pavarësisht cilin prej këtyre produkteve zgjidhni, aplikojeni me masazh të lehtë mbi lëkurë dhe lëreni të veprojë rreth 10 minuta, që të ndihmojë në zbutjen e super ngjitësit. Kur të vëreni se ngjitësi po lirohet, hiqeni ose fërkojeni ngadalë dhe me kujdes.

Acetoni për thonjtë

Shumica e produkteve për heqjen e manikyrit përmbajnë aceton, një tretës kimik i fuqishëm që shpërbën manikyrin. Po ashtu, acetoni mund të shpërbëjë edhe cianoakrilatin, substancën që i jep super ngjitësit forcën e tij. Megjithatë, dermatologu Anthony nënvizon se ky produkt duhet përdorur me kujdes, pasi nuk është i butë për lëkurën.

“Produktet me bazë acetoni mund ta largojnë super ngjitësin nga lëkura, por mund ta thajnë dhe irritojnë atë. Përdorni sasinë më të vogël të mundshme dhe mos e përzieni me kimikate të tjera”, paralajmëron dr. Anthony.

Nëse vendosni ta provoni këtë mënyrë, hidhni një sasi të vogël heqësi manikyri me aceton në një pambuk ose në një leckë të butë. Prekni lehtë zonën e ngjitur dhe prisni derisa ngjitësi të zbutet. Më pas, largojeni ose fërkojeni butësisht. Në fund, zona duhet larë patjetër me ujë dhe sapun, pastaj të vendoset krem hidratues.

Dr. Anthony shton se edhe heqësit e manikyrit pa aceton mund të ndihmojnë për largimin e super ngjitësit nga lëkura, por efekti i tyre është shumë më i ngadaltë krahasuar me produktet që përmbajnë aceton.

Çfarë duhet shmangur kur përpiqeni të hiqni super ngjitësin?

Vetë emri “super” tregon se bëhet fjalë për një ngjitës shumë të fortë. Për këtë arsye, shkëputja e tij në mënyrë të sigurt kërkon kohë dhe nuk duhet bërë me nxitim. Dr. Anthony këshillon:

Mos e tërhiqni me forcë lëkurën e ngjitur me super ngjitës, sepse mund ta dëmtoni lëkurën dhe të përfundoni me flluska të dhimbshme ose edhe më keq.

Mos përdorni objekte të mprehta, si brisk, gërshërë ose thikë, për ta shkëputur ngjitësin. Mund ta prisni lëkurën dhe ta përkeqësoni problemin.

Mos përdorni mjete të forta gërryese, si letër zmerile, për ta “gërryer” ngjitësin. Materiale të tilla mund ta dëmtojnë lëkurën, duke shkaktuar gërvishtje dhe prerje.

Mos përdorni ujë të nxehtë për të provuar ta “shkrini” ngjitësin, sepse mund ta digjni lëkurën.

Mos përdorni kimikate të forta për ta shkëputur super ngjitësin, sepse rrezikoni djegie kimike.

“Secila prej këtyre metodave mund ta irritojë dhe dëmtojë lëkurën. Ka mënyra më të sigurta dhe më efikase”, paralajmëron dr. Anthony.

Ai këshillon që ndihma mjekësore të kërkohet menjëherë nëse dikush e gëlltit super ngjitësin, ose nëse ai bie në fytyrë apo në zonën gjenitale.

Ndihmë mjekësore duhet kërkuar edhe pas një incidenti me super ngjitës nëse shfaqen:

dhimbje të forta

ënjtje

mpirje ose humbje e qarkullimit të gjakut

reaksione të rënda alergjike.

të fundit

Jeffrey Epstein e abuzoi në moshën 18-vjeçare, modelja nga Uzbekistani zbulon historinë për herë të parë

Ish-modelja Roza Gilles nga Uzbekistani, ka treguar për herë të parë historinë e saj të abuzimit nga Jeffrey Epstein. Abuzimi…

4 minutes ago

Greqia përballë të nxehtit ekstrem, alarm portokalli për temperatura deri në 43°C dhe rrezik kulmor nga zjarret

Shërbimi Kombëtar Meteorologjik i Greqisë ka lëshuar një buletin emergjence dhe një paralajmërim portokalli për valën intensive të të nxehtit…

6 minutes ago

SHBA vendos tarifa 50% ndaj mallrave kanadeze, Carney e quan vendimin shkelje të CUSMA-s

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar vendosjen e tarifave prej 50 për qind ndaj një sërë mallrash kanadeze, përfshirë edhe disa…

6 minutes ago

Bebe Rexha shkëlqen në skenën e Filadelfias, mahnit me paraqitjen e saj provokuese

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka rrëmbyer vëmendjen me paraqitjen e saj të fundit gjatë një koncerti të…

8 minutes ago

Drita përballë Florianas në raundin e dytë, publikohen formacionet zyrtare

Drita është mysafir i Floriana në kuadër të raundit të dytë kualifikues për Ligën e Konferencës.Pas eliminimit nga Liga e…

12 minutes ago

Volkswagen shqyrtoi pajisjen e ID. Buzz me motor benzine për rritjen e autonomisë

Me 60,700 njësi të shitura globalisht në vitin 2025, ID. Buzz ishte automjeti elektrik i tetë më i shitur në…

15 minutes ago