Prodhuesit e komponentëve për automjete në Gjermani po e zhvendosin gjithnjë e më shumë fokusin e tyre drejt sektorëve të dronëve, mbrojtjes dhe industrisë hapësinore, teksa vështirësitë në degën e automobilave po marrin përmasa gjithnjë e më të mëdha.
Një ndërmarrje familjare me seli në Bavari, Jopp, tashmë ka arritur kapacitetin për të nxjerrë nga linjat e prodhimit deri në 1,000 dronë vëzhgimi çdo muaj, në një përpjekje për të pakësuar mbështetjen te biznesi i automjeteve.
None found
Firma, e vendosur në një nga rajonet historike të prodhimit të makinave në Gjermani dhe në një zonë ku startup-et e mbrojtjes po shumohen me shpejtësi, e shqyrtoi këtë drejtim të ri teksa kontrata me Porsche për sistemet e transmisionit po i afrohej përfundimit.
Sot, Jopp prodhon dronë për kompaninë e re gjermane të mbrojtjes Highcat, e cila i shet ata te klientë të ndryshëm, duke përfshirë forcat e armatosura, policinë dhe shërbimet zjarrfikëse.
Kjo marrëveshje bën pjesë në strategjinë e Jopp për ta ulur peshën e industrisë automobilistike në shitjet e saj nga niveli aktual prej 85 për qind në 60 për qind deri në vitin 2035.
Industria gjermane e makinave, e cila dikur dominonte tregjet globale, po has pengesa të mëdha për shkak të rivalitetit të ashpër nga Kina dhe vende të tjera, tarifave të larta të vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe kërkesës së dobët në tregun evropian.
Të dhënat e kompanisë konsulente EY tregojnë se sektori ka humbur më shumë se 140 mijë vende pune në Gjermani që nga viti 2019, që përbën afërsisht një në çdo gjashtë pozicione pune.
Për pasojë, gati 80 për qind e furnizuesve gjermanë të industrisë së automjeteve po kërkojnë mundësi zgjerimi në fusha të tjera, sipas një studimi të kryer nga Roland Berger dhe të publikuar vitin e shkuar. Sektorët më të kërkuar përfshijnë mbrojtjen, hapësirën dhe teknologjinë mjekësore.
Kalimi drejt prodhimit të dronëve i jep Jopp të paktën mundësinë që të mbajë stafin aktual, u shpreh për AFP-në drejtori menaxhues i firmës, Martin Buechs.
“Shpresoj që në një moment të kemi sërish hapësirë për t’u rritur, por për momentin objektivi kryesor është ruajtja e vendeve të punës që kemi”, deklaroi ai.
Aktualisht kompania punëson rreth 1,400 persona, nga gati 2,000 që kishte gjashtë vjet më parë, ndërsa dy prej fabrikave të saj janë mbyllur.
Buechs shtoi se Jopp kishte arritur të siguronte kontrata të reja në sektorin e automjeteve, por shumë projekte po vonohen deri në dy vjet, ndërsa porositë e klientëve kanë rënë në mënyrë të ndjeshme.
Jopp nuk është e vetmja ndërmarrje që po ndryshon kurs.
Schaeffler, një prodhues shumë më i madh gjerman i pjesëve për automjete dhe industri, i cili ka njoftuar plane për të shkurtuar mbi 8,000 vende pune, ka krijuar gjithashtu aleanca për të depërtuar në tregje të reja.
Në muajin maj, Schaeffler bëri të ditur se do të prodhojë komponentë për anije kozmike në partneritet me kompaninë amerikane të të dhënave satelitore Spire Global. Të dyja palët thanë se në të ardhmen mund të bashkëpunojnë edhe në prodhimin në shkallë të gjerë të satelitëve.
Ndërsa në qershor, Schaeffler zbuloi planet për ndërtimin e dronëve sulmues Damocles, të projektuar nga firma franceze Delair, si dhe dronëve interceptues Aspik, të cilët janë konceptuar për të asgjësuar dronët kundërshtarë.
Drejtori ekzekutiv i Schaeffler, Klaus Rosenfeld, paralajmëroi këtë muaj se industria evropiane e automjeteve po kalon nëpër “një rënie të pandërprerë”, duke theksuar se nuk parashikon që kjo gjendje të përmirësohet në të ardhmen e afërt.
Megjithatë, sipas Felix Mogge, ekspert i industrisë së automjeteve pranë Roland Berger, zgjerimi në fusha të tjera nuk do të mjaftojë për të shpëtuar pjesën më të madhe të furnizuesve.
Ai vuri në dukje se tregjet e reja ku po synojnë kompanitë janë tashmë tejet konkurruese, ndërsa kontratat në fushën e mbrojtjes zakonisht përfshijnë porosi më të vogla dhe më pak të parashikueshme se ato në industrinë e automjeteve.
“Gjetja e segmenteve të reja të produkteve mund të jetë një shtesë me vlerë në portofolin e një furnizuesi, edhe nëse mbetet në përmasa modeste”, tha Mogge për AFP-në, duke shtuar se kjo “nuk do t’i zgjidhë problemet strukturore të sektorit automobilistik”.
Edhe drejtori i Jopp pranoi se mënyra se si strukturohen kontratat në fushën e mbrojtjes e bën të vështirë llogaritjen e saktë të numrit të vendeve të punës që mund të ruhen falë marrëveshjes për dronët.
Firmat e mbrojtjes zakonisht lidhin kontrata kornizë, përmes të cilave angazhohen për një sasi të caktuar produktesh, me mundësi për porosi shtesë në vijim.
“Sektori i mbrojtjes punon me seri të vogla porosish”, nënvizoi Buechs.
Përkundrazi, prodhimi i makinave vijon për vite të tëra dhe në sasi që, sipas tij, “zakonisht janë shumë të lehta për t’u parashikuar”.
Sidoqoftë, ai argumentoi se Jopp kishte pak zgjidhje të tjera përveç zgjerimit në sektorë të tjerë, duke qenë se marzhet e fitimit në industrinë e automjeteve janë “të ngushta dhe mjaft të dobëta”.
“Industria tashmë është goditur rëndë dhe gjithçka tregon se kjo situatë do të vazhdojë”, përfundoi Buechs.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi në emisionin Prime News24 se dosja hetimore ndaj ish-zv.kryeministres Belinda…
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka ironizuar ish-ministren e Jashtme, Elisa Spiropali duke komentuar situatën e fundit…
Një 60-vjeçar, i dënuar me burgim të përjetshëm për përdhunimin dhe vrasjen brutale të një të moshuare 80-vjeçare, ka kërkuar…
Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të lejojë hyrjen e deri në 100 mijë të rinjve nga vendet e Bashkimit…
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, ka kritikuar deputetët opozitarë, duke i akuzuar se gjatë 12 orëve të seancës për…
Manchester United mund të ndërhyjë në afatin kalimtar të janarit për të përforcuar repartin ofensiv, ndërsa njëri prej emrave që…