Alarmante! 300 milionë fëmijë përballen me “abuzim s*ksual” në internet çdo vit

Fëmijët konsumojnë orë të tëra përmbajtje në internet çdo ditë dhe përdorin platformat digjitale si metodën e tyre kryesore të komunikimit rregullisht. Ata janë zhvendosur nga një komunitet i jetës reale, ballë për ballë në një arenë më të madhe digjitale dhe aspak të sigurt.

Një studim i ri që vlerëson shkallën globale të krizës zbulon se më shumë se 300 milionë fëmijë në vit janë viktima të abuzimit dhe shfrytëzimit seksual në internet.

Sipas studiuesve në Universitetin e Edinburgut një në tetë, ose 12.6% e fëmijëve në botë kanë qenë viktima të të folurit, ndarjes dhe ekspozimit ndaj imazheve seksuale dhe videove jo-konsensuale gjatë 12 muajve të fundit.

E përkthyer në shifra, bëhet fjalë për mbi 300 milionë fëmijë në mbarë botën të cilët bien pre e abuzimit seksual në internet. Në raportin shqetësues nënvizohet gjithashtu se këta fëmijë gjatë vitit kanë qenë subjekt ndaj nxitjeve të rrezikshme në internet, të tilla si biseda seksuale të padëshiruara, duke përfshirë kërkesat për akte seksuale.

Shumë prej rasteve të identifikuara nga ky raport janë edhe në formën e “shantazhit”, ku “maniakët” kërkojnë para nga viktimat për t’i mbajtur imazhet e tyre private.

Ngacmimi seksual “online” ndaj fëmijëve është i pranishëm edhe në Shqipëri, megjithatë shumë pak raste bëhen publike. Ky studim duhet të shërbejë si mësim edhe për autoritetet në vendin tonë që të veprojnë në kohë.


Shtuar 27.05.2024 13:50