A shkaktojnë kancer bojërat e flokëve? Studimi i fundit zbulon gjithçka për kimikatet që përmbajnë

Për ndikimin e bojrave të flokëve në shëndet është folur për një kohë të gjatë dhe shpesh mendimet kanë qënë të kundërta. Një studim i fundit, botuar në British Medical Journal nga ekspertë nga Departamenti i Epidemiologjisë në Universitetin Mjekësor të Vjenës, të cilët ndoqën 117,200 gra amerikane për 36 vjet, mbështesin pohimin se bojrat e flokëve mund të mos kenë lidhje me një incidencë më të lartë të shumicës së kancereve, megjithëse me disa përjashtime.

Një hulumtim i gjatë dhe i plotë

Ky është studimi më i madh i kryer deri më tani për këtë temë. Të dhënat e mbledhura tregojnë se ngjyrat e flokëve nuk kishin ndonjë efekt të rëndësishëm në shumicën e llojeve të kancerit, megjithëse u theksuan disa rreziqe të mundshme. IARC, Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin, pjesë e OBSH-së, Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka klasifikuar ekspozimin ndaj bojrave të flokëve si potencialisht kancerogjen për njerëzit që ushtrojnë profesionin e parukierit, ndërsa nuk u bë asnjë vlerësim i përdorimit personal.

Studimi i ri eksploroi lidhjen midis përdorimit personal të bojrave të përhershme të flokëve dhe rrezikut të shumicës së kancereve dhe vdekshmërisë së lidhur me kancerin. Të dhënat e mbledhura duket se tregojnë një lidhje pozitive për rrezikun e karcinomës së qelizave bazale dhe për kancerin e gjirit agresiv, por kjo situatë gjendet gjithashtu bazuar në ngjyrën natyrale të flokëve. Rezultatet duket se sugjerojnë një rrezik në rritje të limfomës Hodgkin te gratë me flokë natyrale të errët dhe një rrezik më të lartë të karcinomës së qelizave bazale në ato me flokë në ngjyra më të lehta natyrale.

Prandaj, studimi duket se siguron që përdorimi personal i bojrave të flokëve nuk shoqërohet me një rrezik në rritje të kancerit ose vdekshmërisë. Vetëm një lidhje pozitive u gjet për rrezikun e disa kancereve, por rezultatet u referohen ekskluzivisht grave amerikane me lëkurë të bardhë, prandaj këto të dhëna mund të mos prekin pjesën tjetër të popullsisë.

Do të nevojiten hulumtime të mëtejshme për të zgjeruar rezultatet në popullata, gjenotipe dhe ndjeshmëri të ndryshme, duke përfshirë dallimin midis përdorimit personal dhe profesional. Dhe të dhënat pastaj do të interpretohen në një panoramë më të gjerë të provave.