Ekspertja e ekonomisë Mira Pogaçi tha gjatë programit “Rudina” në Tv Klan se nuk është dakord me mendimin e përgjithshëm të prindërve për mos t’i mësuar fëmijët me paranë. Sipas saj, fëmija duhet edukuar në marrëdhënien e tij me financat për të ditur vlerën e gjërave, shpërblimin për punën e tij dhe mos të krijuarit situata të pakëndshme në publik. Pogaçi tha se në këtë aspekt, ka filluar ta mësojë djalin e saj prej moshës 5-6 vjeçare.
Mira Pogaçi: Arsyeja pse unë kam zgjedhur t’i jap para është buxheti, pra buxhetimi. Ke kaq lekë për t’i shpenzuar dhe ai ka filluar, në atë moment, nuk ka ditur t’i bëjë llogaritë, edhe sot nuk di që është më i rritur, por më ka pyetur “po të marr këtë edhe sa më ngelin?” Dhe i kam thënë po të marrësh këtë nuk të ngel më asnjë lek. Dhe pastaj është kthyer dhe ka shkuar e ka marrë dy gjëra. Pra, e ka marrë vetë vendimin. Në këtë rast kemi zgjidhur edhe çështjen e atyre skenave në ambiente që s’janë të këndshme por dhe pjesën jo vetëm të buxhetit, por mendoj të vendimmarrjes. Që në moshë të vogël mësohet fëmija të bëjë zgjedhjet e veta dhe të marrë vendim për dëshirat e veta, kështu që mendoj që jep edhe njëfarë pavarësie, duhet të ndihet më mirë.
Rudina Magjistari: Pra ti le të themi, kur je në një dyqan, shoqëruar me fëmijën është ai momenti kur ia jep. Po në shkollë me vete?
Mira Pogaçi: Në shkollë jo, pa diskutim, për arsye sigurie mendoj që një fëmijë duhet të qëndrojë brenda shkollës kështu që çfarë ka për t’i konsumuar duhet t’i ketë me vete. Por tani që është në shkollë i kam thënë që kur të marrësh një “shumë mirë” do të të jap, monedha, pa diskutim, do shpërblehesh. Nuk dua që të mësohet fëmija me paranë për sjellje të mirë sepse ajo mendoj që është e gabuar.
Rudina Magjistari: Po se ka plot që nuk janë dakord me këtë metodë.
Mira Pogaçi: Për sjelljen e mirë jo sepse më duket si formë nënshtrimi, pra kur të rritet do konsiderojë që “po fola mirë, po u solla mirë, po nuk e thashë këtë gjë do fitoj”. Dua që në këtë pjesë të ketë, padyshim fëmijët si të vegjël, si të rriturit, duhet të kenë dinjitetin e tyre, por shpërblim për një rezultat, ky është koncepti im individual, patjetër, duhet të mësohet që nga rezultatet të ketë pritshmëri dhe monetare.