Ish-drejtori i Policisë së Elbasanit, i cili aktualisht mban detyrën e shefit të komisariatit Nr. 6 në kryeqytet, Alket Shatro, është thirrur në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Aty, Shatro është mbajtur dhe është marrë në pyetje për rreth 40 minuta.
Burime bëjnë me dije se Shatro është marrë në pyetje në lidhje më dëshminë e vrasësit me pagesë, tashmë i penduar i drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili ka pretenduar se i implikuar në ngjarje ishte edhe oficeri Leonard Palushi.
Po ashtu, sipas të penduarit të drejtësisë me porosi të Erjon Alibej, Nuredin Dumani ka organizuar dhe koordinuar veprimet që arma e krimit e përdorur në vrasjen e shtetasit Emiljano Ramazani të vendosej në një parkim në pronësi të shtetasit Seit Manhasa. 7 ditë pas vrasjes së Emiljano Ramazanit, në një servis në Peqin në pronësi të Albert dhe Seit Manhasa është gjetur dhe sekuestruar arma e zjarrit, e llojit pistoletë.
Në dosjen hetimore pretendohet se Leonard Palushi ka informuar Drejtorin e Policisë Vendore Elbasan, Arjan Muçën lidhur me ngjarjen, e më pas, ai ia ka deleguar çështjen zëvendësit të tij, Alket Shatros. Ky i fundit më pas ka shkuar në vendin e ngjarjes ku është gjetur edhe pistoleta në fjalë. Pikërisht për “punën” e tij në servis mendohet se është pyetur për më shumë detaje zyrtari i Policisë. Por nuk ka asnjë të dhënë se ç’mund të ketë dëshmuar për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor. Gjithashtu, nuk dihet nëse Shatro ka pasur ndonjë ballafaim me dëshmitarë të tjerë të ngjarjes./OraNews