Zbardhet vendimi i gjykatës, Adriatik Llalla do të vuajë dënimin në burg të sigurisë së zakonshme

Një ditë pasi u dënua me 2 vjet burgim dhe 5 vjet përjashtim nga funksionet publike, Gjykata e Posaçme zbardh arsyetimin për vendimin ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Në vendim theksohet se Llalla do të kryejë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme, menjëherë sapo të marrë formë të prerë.

GJKKO e shpalli fajtor Adriatik Llallën për “Fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.

Ndërsa pasuritë që i ishin konfiskuar nga ish-Gjykata për Krime të Rënda, me vendim të datës 20 korrik 2018, i kaluan shtetit.

“Vuajtja e dënimit për të pandehurin Adriatik Llalla fillon nga dita e marrjes formë të prerë të këtij vendimi dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme. Në bazë të nenit 35 të Kodit Penal, heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin Adriatik Llalla për një periudhë 5-vjeçare…”- njofton gjykata.

VENDIMI

Gjykata, bazuar në nenet 112, 274, 275, 379, 383, 384, 390 pika 1, 393, 415 pika 1 dhe 422 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale dhe nenit 35.1 dhe 36 të Kodit Penal, vendosi: Deklarimin fajtor të të pandehurit Adriatik Llalla për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunës publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”, të parashikuar nga neni 257/a, paragrafi 2 i Kodit Penal, për episodin lidhur me deklaratën e interesave private periodike/vjetore për vitin 2016, dorëzuar më datë 31.03.2017 dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me 1 vit burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Adriatik Llalla për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunës publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”, të parashikuar nga neni 257/a, paragrafi 2 i Kodit Penal, për episodin lidhur me deklaratën e pasurisë të kryer në kuadër të ligjit nr. 84/2016, dorëzuar më datë 27.01.2017 dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me 1 vit burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Adriatik Llalla për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunës publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”, të parashikuar nga neni 257/ a, paragrafi 2 i Kodit Penal, për episodin lidhur me deklaratën e interesave private pas largimit nga funksioni, dorëzuar më datë 22.12.2017 dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me 1 vit burgim.

Në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, dënimin e të pandehurit Adriatik Llalla me një dënim të vetëm prej 2 vitesh burgim.

Vuajtja e dënimit për të pandehurin Adriatik Llalla fillon nga dita e marrjes formë të prerë të këtij vendimi dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme. Në bazë të nenit 35 të Kodit Penal, heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin Adriatik Llalla për një periudhë 5-vjeçare.

Pasuritë e paluajtshme të sekuestruara me vendimin nr. 179, datë 20.07.2018 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, ku përfshihen: Pasuri e paluajtshme nr. 39/146-ND+1-21, zona kadastrale nr. 8518, e llojit apartament, me sipërfaqe 67 m2 , ndodhur në Durrës, blerë me kontratën nr. 432 rep dhe nr. 213 Kol, datë 19.03.2012. Pasuri e paluajtshme nr. 64/40, zona kadastrale 3091, volum 3, faqe 195, e llojit tokë, me sipërfaqe 4500 m2 , blerë me kontratën nr. 972 Rep dhe nr. 546 Kol, datë 05.12.2016. Pasuria e paluajtshme nr. 64/61, zona kadastrale 3091, volum 4, faqe 198, e llojit tokë arë, me sipërfaqe 12300 m2 , blerë me kontratën nr. 316 Rep dhe nr. 187 Kol, datë 15.03.2017.

Pasuria e paluajtshme nr. 64/62, zona kadastrale 3091, volum 4, faqe 199, e llojit tokë arë, me sipërfaqe 3000 m2 , blerë me kontratën nr. 315 Rep dhe nr. 186 Kol, datë 15.03.2017. Pasuria e paluajtshme nr. 64/58, zona kadastrale 3091, volum 4, faqe 195, e llojit tokë arë, me sipërfaqe 2500 m2 , blerë me kontratën nr. 573 Rep dhe nr. 376 Kol, datë 15.03.2017. Konfiskohen dhe kalohen në favor të shtetit, shkruan panorama.

Shpenzimet gjyqësore të hetimeve paraprake dhe shpenzimet në gjykim, sipas formularit bashkëlidhur i ngarkohen të pandehurit Adriatik Llalla.

Kundër këtij vendimi lejohet e drejta e ankimimit brenda 15 ditëve nga e nesërmja e shpalljes në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë.