Endri Çekiçi vazhdon karrierën në futbollin turk. Mesfushori i kombëtares shqiptare, ka nisur një aventurë të re, këtë radhë në klubin e Pendikspor, i cili po bën investime të rëndësishme me ngjitjen në elitë.
Edhe pse klubi i qytetit të Stambollit ka pak histori në elitën e futbollit turk, ka vendosur të bëjë investime të rëndësishme, duke afruar emra si Oskar Romero, mesfushori i përfaqësueses së Paraguait. Çekiçi kishte qenë në bisedime me klube të ndryshme turke, por në fund, pranoi ofertën e Pendikspor.
Mbetet të mësohet kohëzgjatja e kontratës së Çekiçit, i cili në dy vitet e fundit kishte luajtur me fanellën e skuadrës së Koniaspor në Superligën turke. Më parë, ai ka veshur edhe fanellën e Ankaraguçu në kampionatin turk.