Të tjera detaje të rënda tronditëse dalin në dritë nga zjarri në qendrën tregtare, ku një godinë që prej mesditës së djeshme është përfshirë nga flakët.
Tashmë dyshohet se ka 3 persona të zhdukur. Përveç shefit të sigurisë, Arjan Sala dyshohet edhe për një 17-vjeçar dhe një tjetër person. Deri më tani policia nuk ka dhënë informacione zyrtare në lidhje me numrin e saktë të personave të zhdukur.
Drejtori i Zjarrfikëses, Shkëlqim Goxhaj në një komunikim për mediat tha se forcat zjarrfikëse, kanë arritur të neutralizojnë zjarrin e rënë mbrëmjen e djeshme në magazinë , por ende nuk dihet për të 33-vjeçarin.
Ndërkohë familjarët e miqtë e Arjan Salës, janë mbledhur pranë vendit të ngjarjes ku edhe kanë debatuar me Goxhaj, duke kërkuar që të ndërhyhet në thellësi të magazinës për të gjetur 33-vjeçarin
‘A nuk ka një fadromë të hapin një dritare më të madhe?! Ai thotë është 180 gradë nuk futem brenda! Është komplet faji i zjarrfikëses! Iku vëllai jonë aty brenda! Pronari objektit ka dhënë urdhër, të prishet objekti, ku të duan forcat e zjarrfikëses. Nuk kanë mjete ato!’- u shprehën familjarët e revoltuar.