Flakët që përfshinë fshatin Vranisht shkaktuan dëme të mëdha materiale, duke djegur një banesë të pabanuar, sipërfaqe të mbjella me ullinj dhe të paktën 50 koshere bletësh.
Ajet Llanaj, një prej banorëve të prekur, tha se kishte udhëtuar nga Vlora dhe kishte mbërritur në zonë rreth orës 14:30. Së bashku me banorë të tjerë, ai u angazhua në përpjekjet për të ndalur përhapjen e zjarrit.
Të lidhura
None found
“Kur erdha unë, ishte edhe shtëpia e zjarrfikëses. Nisëm me vëllezërit dhe të tjerët të mundoheshim të shuanim zjarrin”, deklaroi Llanaj.
Sipas tij, dëmet më të rënda janë regjistruar në sektorin e bletarisë, ku flakët kanë përfshirë më shumë se 50 koshere.
“Kosheret e bletëve, mbi 50 koshere janë djegur. Ky është një dëm maksimal”, u shpreh banori.
Në vendngjarje ka qenë edhe prefektja e Qarkut, Evis Alushi. Ajo njoftoi se do të krijohet një grup pune për të dokumentuar në mënyrë të plotë pasojat e zjarrit.
Prefektja bëri të ditur gjithashtu se, pasi të përfundojë verifikimi i dëmeve, do të vlerësohet mundësia e kompensimit të banorëve të prekur.
