Zjarrfikësit ende s’kanë vënë nën kontroll flakët në Pishporo dhe Darëzezë, vijon beteja nga ajri dhe toka

Pavarësisht se masivi pyjor i Pishporos dhe Darëzezës në Fier po digjet prej 8 ditësh, zjarrfikësit ende nuk kanë arritur të vënë nën kontroll flakët.

Përgjatë gjithë natës shërbimet zjarrfikëse kanë qëndruar në terren ndërsa rreth orës 01:00 një vatër zjarri është aktivizuar duke dalë jashtë kontrollit, ndërsa ka rrezikuar edhe një banesë.

Operacioni do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme si nga toka ashtu edhe nga ajri.

Aktualisht vatrat e zjarrit janë me intensitet të ulët ndërsa avionët Canadair të dërguar nga shteti grek do të fillojnë ndërhyrjen nga ajri.

Në terren që në orët e para të mëngjesit po operojnë të gjitha forcat operacionale, shërbimet zjarrfikëse, efektivë të forcave të armatosura, punonjës të ADZM, dhe forca mbështetëse të bashkisë.

Gjatë ditës së djeshme teksa ka zbritur në terren Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ka pohuar se ndërhyrja nga ajri dhe toka do të vazhdojë deri në fikjen e plotë të zjarrit./Albeu.com


Shtuar 3.10.2023 09:49