Ministria e Mbrojtjes njoftoi se, deri në orën 20:00 të 19 gushtit, në zona të ndryshme të Shqipërisë vijojnë të jenë aktive pesë vatra zjarri, ndërsa dy të tjera po mbahen nën monitorim.
Operacionet në terren po zhvillohen nga rreth 130 forca operacionale vendore. Në mbështetje të tyre, Forcat e Armatosura kanë angazhuar 90 efektivë dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore.
Të lidhura
None found
Vatrat aktive janë evidentuar në Dajt dhe Priskë të Tiranës, në Lufaj të Mirditës, në zonën Tërbun-Gojan të Pukës dhe në Shashicë të Selenicës.
Në Dajt ndërhyrja po kryhet nga 50 efektivë të Forcave të Armatosura, 15 punonjës të MZSH-së dhe 5 të AZM-së. Në Priskë vijojnë operacionin strukturat e MZSH-së. Autoritetet bëjnë me dije se në të dyja këto zona nuk ka rrezik për banesat.
Në Lufaj, flakët po përhapen me intensitet të ulët. Shërbimi Pyjor dhe MZSH-ja janë të angazhuar në operacion, ndërsa nuk raportohet kërcënim për zonat e banuara.
Gjendja paraqitet më e vështirë në Tërbun-Gojan, ku erërat e forta kanë ndihmuar përhapjen e zjarrit. Ekipet operacionale po vijojnë punën në terren, me MZSH-në të fokusuar veçanërisht te mbrojtja e banesave. Pavarësisht situatës, deri në orën 20:00 nuk është evidentuar rrezik i drejtpërdrejtë për zonat e banuara.
Në Gurë-Lurë zjarri është shuar, por zona vazhdon të kontrollohet. Ndërkohë, në Qafë Helmes vatra është izoluar dhe forcat lokale po punojnë për konsolidimin përfundimtar të situatës.
Strukturat e Mbrojtjes Civile dhe grupet operacionale po vijojnë ndërhyrjet në të gjitha zonat e prekura, duke pasur si prioritet mbrojtjen e banorëve dhe banesave, si dhe izolimin e plotë të vatrave që mbeten aktive.
