Ministria e Mbrojtjes ka publikuar të dhënat më të fundit për situatën e zjarreve në Shqipëri, duke bërë të ditur se gjatë ditës së sotme janë mbajtur nën vëzhgim nëntë vatra në pjesë të ndryshme të vendit.
Falë operacioneve të bashkërenduara nga toka dhe ajri, sipas ministrisë, gjendja është përmirësuar ndjeshëm. Në këto momente nuk paraqitet asnjë kërcënim për komunitetet dhe zonat e banuara.
Të lidhura
None found
Në Dajt, ndërhyrja e forcave të MZSH-së dhe Administratës së Zonave të Mbrojtura, të mbështetura nga helikopteri i Forcës Ajrore, mundësoi shuarjen e flakëve. Territori vazhdon të mbahet nën monitorim, ndërsa zjarri në Priskë është eliminuar tërësisht.
Në fshatin Çikallesh të bashkisë Kavajë, zjarri është izoluar plotësisht pas angazhimit të zjarrfikësve nga Kavaja, Kamza dhe Rrogozhina, si dhe ndërhyrjes së avionit “Air Tractor”.
Në bashkinë Mallakastër, vatrat në Riban, Ngraçan dhe Panahor janë kufizuar përgjatë gjithë perimetrit. Megjithatë, këto zona vijojnë të jenë nën mbikëqyrje.
Një nga situatat më shqetësuese u paraqit në Plan të Bardhë, në bashkinë Klos, ku era favorizoi përhapjen e flakëve dhe krijoi rrezik për banesat dhe infrastrukturën elektrike. Zjarri u vendos nën kontroll pas ndërhyrjes së zjarrfikësve, Policisë së Shtetit, strukturave vendore, vullnetarëve dhe 25 efektivëve të Forcave të Armatosura.
Vatrat në Kostren 2, në bashkinë Berat, dhe në Uruç, në bashkinë Peqin, janë shuar plotësisht. Ndërkaq, në Alikomemaj të bashkisë Memaliaj, forcat operacionale vazhdojnë punën për neutralizimin e një zjarri që ka përfshirë një sipërfaqe me pisha.
