Vazhdon puna për shuarjen e zjarreve aktive në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Ministria e Mbrojtjes ka bërë publike të dhënat e fundit rreth këtij aksioni duke zbuluar vatrat e shuara dhe vatrat që ende janë një rrezik serioz.
NJOFTIMI:
Prej orëve të para të mëngjesit është intensifikuar puna për shuarjen e zjarreve në vatrat aktive të mbetura në të gjithë territorin e vendit.
Zjarri në Gadishullin e Karaburunit, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë është eleminuar në pjesën më të madhe të vatrave, por është riaktivizuar një vatër intensive në malin e Dukatit, e cila ishte e shuar pak ditë më parë. Sot në mbështetje të forcave tona operacionale është edhe një helikopter i ardhur nga Holanda.
Gjatë natës ka patur një vatër të re në Gjirin e Gramës, ku gjithashtu po punohet për shuarjen e flakëve me forca të shtuara.
Zjarri pranë pikës kufitare Rips në fshatin Livadhja, bashkia Finiq ka rënë në një terren të vështirë, por po mbahet nën kontroll për të shmangur rrezikun e banesave.
Një zjarr i rënë në fshatin Gjorgos, njësia administrative Cakran, bashkia Fier ka angazhuar forcat operacionale prej orësh, të cilët po punojnë për ta mbajtur nën kontroll. Në mbështetje të tyre ka shkuar edhe helikopteri i ardhur nga Çekia.
Zjarri në Majën e Rrunës, njësia administrative Malzi, bashkia Kukës, aktualisht po mbahet nën kontroll, për të mos e lënë të përhapet në zona të banuara. Për shkak të terrenit të vështirë forcat nuk mund të ndërhyjnë dot në të gjithë zonën.
Zjarri pranë luginës së Valbonës, fshati Klysyrë, njësia administrative Margegaj, bashkia Tropojë nuk ka përhapje dhe aktualisht është tërësisht i kontrollueshëm e me intensitet të ulët.
Zjarri është nën kontroll edhe në fshatin Vermosh, njësia administrative Kelmend, bashkia Malësi e Madhe.
Puna e forcave të emergjencave civile po vijon për të mbajtur nën kontroll flakët edhe në vatrat e hapura në fshatin Thirrë, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë si dhe në fshatin Munellë-Domgjon, po në këtë bashki. /albeu.com/