Zjarr në pyllin me pisha në zonën e Shpiragut, zjarrfikësit me pompa shpine për fikjen e flakëve

Një sipërfaqe e konsiderueshme ne ullinj është përfshirë nga zjarri pasditen e somte pranë fshatit Mjeshovë, në njësinë administrative Sinjë të Beratit.

Kanë qenë banorët e zonës ata që kanë njoftuar shërbimin zjarrfikës.

Drejt vendngjarjes u nisën automjete zjarrfikëse dhe personel me pompa shpine pasi terreni është tepër i thyer dhe zjarri i ndihmuar nga era e fortë është përhapur me shpejtësi drejt pyllit me pisha.

Pas disa orësh zjarri është nën kontroll dhe po punohet për fikjen e çdo vatre apo druri të shkrumbuar.

Dyshohet se zjarri  është i qëllimshëm dhe policia e qarkut Berat ka nisur hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e autorit.

Si pasojë e këtij zjarri janë shkrumbuar rreth një hektarë pisha dhe shkure si dhe një numër i konsiderueshëm me ullinj.

Nuk është hera e parë që në zonën e Shpiragut vihet zjarr i qëllimshëm për djegien e parcelave  të gurit apo për hapjen e kullotave. Një muaj më parë zjarri në zonën e Shpiragut shkrumboi dhjetra hektarë me dru frutor si dhe ullinj pyje me pisha dhe deri më sot asnjë autor nuk eshtë vënë në pranga./Albeu.com


Shtuar 21.10.2023 18:13