Shkodra u trondit ditën e djeshme nga ngjarja e rëndë kriminale, ku mbetën të vrarë babë e bir. Gjokë dhe Eduart Gurra u vranë me armë zjarri , dje 29 qershor rreth orës 16:40 , rruges per ne shtëpinë së tyre në fshatin Sumë të njësisë administrative Pult.
Ende nuk ka asnjë gjurmë nga autorët. Policia po punon për kapjen e tyre. Ngjarja ka ndodhur tek një kthesë e padukshme në një zonë të pyllëzuar, afro 500 metër pa mbërritur tek banesa e djegur e Gjokë dhe Eduart Gurrës.
Dyshohet se autorët kishin informacion të skatë se babë e bir po shkonin drejt banesës së djegur. Pasi janë siguruar se Gjokë Gurra dhe Eduart Gurra kanë ndërruar jetë, autorët janë larguar në drejtim të paditur.
Si ndodhi ngjarja tragjike
Babë dhe bir shkuan dje për të parë nga afër banesën e tyre në fshatin Sumë, e cila ishte djegur mbrëmjen e kaluar (28 qershor) , pasi i ishte vënë zjarri qëllimisht nga persona ende të paidentifikuar.
Por rruges per në shtëpinë e tyre, Gjokë dhe Eduart Gurra janë përballur me plumbat mbi trupat e tyre. Dyshohet se autorët të jenë të njëjtët persona që i vunë zjarrin banesës së tyre. Mesa duket zjarrvënia e banesës ka qenë një kurth i ngritur për babë dhe bir, që në momentin që ata të shkonin për të parë dëmet të vriteshin.
Familja Gurra kishte pak kohë që ishte shpërngulur për të jetuar në qytetin e Shkodrës dhe banesa që u dogj nuk banohej. Gjokë Gurra ishte babai i dy fëmijëve, një djali e një vajze, ndërsa djali i tij Eduarti ishte baba i dy vajzave.
Dy viktimat rezultojnë pa precedentë penalë, madje Gjokë Gurra kishte punuar vite më parë në Polici. Ndaj dhe policia dyshon se ngjarja mund të ketë lidhje me kultivimin e kanabisit, pasi zona e Dukagjinit është e njohur për mbjelljen e tij./albeu.com/