Kërkonin ndihma për njerëzit me probleme, por i “fusnin në xhep”: Përfundojnë pas hekurave 6 persona

Është goditur një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve kibernetike duke çuar pas hekurave 6 persona dhe shpallur në kërkim një tjetër.
Policia ka finalizuar operacionin “Kameleonët” duke i dhënë fund një grupi që akuzohet për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”dhe “Falsifikimi kompjuterik”.

Mësohet se janë arrestuar K.L., 23 vjeç, D. D., 29 vjeç, G. R., 41 vjeç, E. M., 37 vjeç, të katërt banues në Pogradec, K. H., 27 vjeç dhe L. K., 39 vjeç, banues në Tiranë.

Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi K. C., 23 vjeç, banues në Pogradec.
Sipas policisë, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime me qëllim ngritjen e një skeme të mashtrimit kompjuterik për përfitimin e shumave të ndryshme monetare nga të gjithë shtetasit shqiptarë ose jo, të cilët kanë qenë të interesuar për të ndihmuar të mitur me probleme shëndetësore.
Për këtë arsye, këta persona vendosnin në dispozicion të shtetasve të interesuar, llogari bankare apo të dhëna shtetasish të cilët do të ishin përfitues të donacioneve, duke i tërhequr ato në institucione të ndryshme financiare. Tërheqja bëhej nëpërmjet profileve të rrjeteve sociale me të dhëna të rreme, por dhe dhënies së të dhënave të rreme për dërgimin e donacioneve, me qëllim që të mos gjendeshin në rast se organet ligjzbatuese do të viheshin në dijeni të këtij aktiviteti kriminal.

Këta shtetas, për një periudhë rreth 6-mujore, kanë arritur të marrin qindra transaksione financiare nga shtetas shqiptarë ose jo, të cilët janë me banim në territorin e Shqipërisë, por dhe jashtë saj.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan aparate celular, dokumente tërheqjesh monetare, një sasi lënde narkotike e dyshuar si kokainë etj.
Njëkohësisht, Njësia për Hetimin e Krimeve Kompjuterike u bën thirrje të gjithë shtetasve që kanë dyshime të arsyeshme për funksionimin e skemave të tilla të na vënë në dijeni në adresën e postës elektronike [email protected] dhe në numrin e telefonit 0694155552, po ashtu dhe në aplikacionet e komunikimit si ËhatsApp, Viber etj.


Shtuar 2.04.2021 10:51