Zhdukja e Ervis Martinajt, Artan Hoxha: A do të zbardhet e vërteta? Ngjashmëria me fatin e Jan Prengës

Prej disa muajsh, Ervis Martinaj, i njohur si “drejtori” i lojërave të fatit, vijon të jetë i zhdukur. Versioni më i besueshëm deri më tani sipas gazetari investigativ Artan Hoxha është ajo e eliminimit fizik të tij.

I ftuar në studion e “ABC LIVE”, Artan Hoxha e ka krahasuar zhdukjen e Ervis Martinaj me atë të Jan Prengës i cili u rrëmbye në Kamëz dhe më pas u zhduk në 4 rrugë e Shijakut.

“Zhdukja e Jan Prengës është një shenjë paralajmërues jo shumë pozitive, edhe për rastin e Ervis Martinajt. Në rastin e Jan Prengës patëm filmimin e trup të vdekur që u nxor jashtë dhe u zhduk me një furgon. Ndërsa për Ervis Martinajn që nuk kemi pamjet. Imagjino sa është për Martinajn, që sot nuk ka asnjë provë se çfarë ka ndodhur me këtë person.” tha Hoxha.

Në zhdukjen e Martinajt, Hoxha theksoi se kanë marrë pjesë disa grupe shumë të fuqishme. Ai citoi edhe ish kryeministrin Berisha për të cilin tha se ka lënë të kuptohet që Ervis Martinaj është vrarë.

Ndërsa duke u ndalur tek deklaratat e kryeministrit Edi Rama, Hoxha theksoi se në fillim Rama kërkoi një përgjigje ndërsa më pas tha se policia e ka një përgjigje për fatin e Ervis Martinajt.

“Familja e Ervis Martianjt e meriton një përgjigje se çfarë ka ndodhur me fatin e djalit të tyre” tha Hoxha.


Shtuar 26.09.2022 14:40