Zhduket prej 4 ditësh adoleshentja shqiptare në Greqi, dyshohet se është rrëmbyer

Një 16-vjeçare shqiptare, rezulton e zhdukur që prej katër ditësh në Greqi. Bëhet fjalë për Emilia Veliun, e cila ka humbur gjurmët që prej datës 16 qershor.

Mediat greke, kanë publikuar njoftimin e zhdukjes së adoleshentes shqiptare si edhe foton e saj.

Ditën që u zhduk Emilia me gjatësi 1.70 dhe 65 kg, kishte veshur pantallona xhinse të zeza, një kanotiere të zezë, syze shikimi dhe një çantë ngjyrë bordo.

16-vjeçarja u zhduk në zonën e Petralonës në Athinë, me familjarët e saj që kanë kërkuar ndihmë nga policia dhe autoritetet greke.

Autoritete greke, u bëjnë thirrje qytetarëve të telefonojnë në numrin 116000, si dhe në të gjitha drejtoritë e policisë në vend, nëse kanë informacion për vendndodhjen e Emilias.

Të afërmit e adoleshentes, kanë publikuar gjithashtu njoftimin e zhdukjes së 16-vjeçares në rrjetet e tyre sociale Facebook dhe Instagram.

Halla e adoleshentes shkruan se policia greke e ka shpallur të rrëmbyer Emilian.

 


Shtuar 19.06.2025 10:30