Dy tusitë të huaj rreth moshës 35 vjeç, të cilët po eksploronin veriun e vendit, janë zhdukur pasi kanë humbur çdo kontakt. Mësohet se ata ishin nisur nga Valbona për në Theth mëngjesin e ditës së djeshme, por duke qenë se dëbora nuk ka shkrirë dhe disa shtegje janë të pakalueshme, ata janë vonuar dhe bateria e telefonit ju ka rënë duke humbur kështu kontaktet me policinë e shtetit.
Policia ka nisur kërkimet që dje dhe vijon akoma edhe sot për gjetjen e turistëve. Gjithashtu mësohet se një helikopter do të kalojë në zonën e Valbonës për kontroll.
Njoftimi i policisë:
Valbonë, Tropojë
Më datë 03.06.2021, në mbrëmje, në Valbonë, dy turistë, nga Suedia dhe Rusia, kanë humbur rrugën duke eksploruar territorin nga Valbona në drejtim të Thethit.
Menjëherë janë angazhuar Forcat e Policisë së Tropojës për gjetjen e tyre. Për shkak të terrenit të vështirë vazhdojnë kërkimet nga punonjës policie që po kontrollojnë territorin me këmbë.
Kërkimet intensive nga shërbimet e Policisë kanë vazhduar që prej mbrëmjes së djeshme, kur turistët kanë shkëputur kontaktet për shkak të fikjes së celularëve nga rënia e baterisë.
Punonjësve të Policisë që janë në kërkim të turistëve i janë bashkuar edhe alpinistët e vendit./albeu.com