Një ditë pas përfundimit të hetimeve paraprake nga SPAK dhe dërgimit të dosjes për gjykim, Gjykata e Posaçme, mëngjesin e sotëm ka hedhur shortin për të zgjedhur gjyqtaren e seancës paraprake të çështjes së privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Nga 10 gjyqtarët në listë, shorti ka përzgjedhur gjyqtaren Flojera Davidhi, e cila do të marrë vendimin nëse çështja do të dërgohet ose jo për gjykim.
Ajo mund të dërgojë për gjykim dosjen, mund ta kthejë pas për plotësim hetimesh ose e pushon çështjen.
Davidhi brenda 10 ditësh cakton datën e seancës paraprake.
Në listën e 10 gjyqtarëve në short nuk u përfshi emri i Irena Gjokës, e cila ka qenë trupë gjykuese prej tetorit të vitit të kaluar ku ka miratuar edhe masat e sigurisë, ndërsa ligji përcakton se nuk duhet të jetë më pjesë e procesit.
Për këtë çështje është marrë i pandehur edhe kreu i PD-së, Sali Berisha për akuzën e veprës penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.
Po ashtu, i pandehur është marrë edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi për akuzën e veprës penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe për “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Të pandehur të tjerë janë marrë dhe Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina.
Sipas SPAK-ut, Berisha në kohën kur ka qenë kryeministër ka vendosur në funksion të interesave të dhëndrit të tij bazën ligjore, si edhe ka ushtruar presion mbi vartësit për të nxitur plotësimin sa më të shpejtë të procedurave të kthimit të pronës dhe privatizimit të godinave të degraduara të ish-klubit sportiv “Partizani”.