Në prag të zgjedhjeve parlamenare që mbahen të dielën në Greqi dy kandidatët shqiptarë Fatos Malaj dhe Pati Vardhami thonë se nëse e fitojnë mandatin do të anagzhohen fuqimisht për të mbrojtur të drejtat e emigrantëve të huaj, ku pjesën më të madhe e përbëjnë shqiptarët.
“Qëllimi im është të jem zëri i të rrezikuarve dhe emigrantëve për të ngritur lart agjendën politike, problemet e mëdha me të cilat përballen, dhënien e zgjidhjeve me politikat integruese dhe të barazisë “ i tha Zërit të Amerikës Fatos Malaj, që kandidon në kryeqytetin grek Athinë për Partinë PASOK – Lëvizja për Ndryshim.
“Slogani im i fushatës zgjedhore është “Të Bashkuar për Ndryshim” dhe besoj fuqishëm se vetëm të bashkuar mund t’ia dalim dhe ta sjellim ndryshimin, tha zoti Malaj.
Sipas tij “shumë nga bashkëqytetarët shqiptarë që kanë kontribuar për shumë vite në ekonominë dhe shoqërinë greke janë ende në ankth për statusin e qëndrimit të tyre në vend. Të tjerë hasin pengesa në hapin e tyre përfundimtar të integrimit të plotë, të shtetësisë. Sfida të reja si pensioni tashmë janë në horizont, sidomos për kolegët tanë emigrantë që kanë kontribuar për Greqinë me punën, dhe taksat e tyre “.
Fatos Malai është ndërmjetësues ndërkulturor i çertifikuar në Drejtorinë e të huajve dhe Emigracionit të të Atikës, me përvojë shumëvjeçare në shërbimet ligjore lidhur me emigrantët.
Ai themeloi Organizatën Joqeveritare “AROGI”, që punon në mbrojtje të të drejtave të njeriut duke ndërmarrë një sërë nismash për përmirësimin e kuadrit ligjor të emigracionit në Greqi.
Gjatë periudhës 2012-2016, ai ishte anëtar i Seksionit për të Drejtat e Njeriut të Shteteve të Bashkuara.
Një tjetër kandidate në zgjedhjet parlamentare greke është Pati Vardhami që kandidon në Athinë për Nismën “MeRA25”.
“Vitet e para këtu nuk kanë qenë të lehta dhe kanë kërkuar fuqi mendore e shpirtërore nga të gjithë pasi edhe pengesat institucionale kanë qenë të mëdha”, tha për Zërin e Amerikës , Pati Vardhami.
E diplomuar në Organizim Biznesi, Studime Politike e Sociale, si dhe Filozofi Bashkëkohore e Arte në Athine dhe Londër ajo tha se “kishte eksperience pune në të tre këto fusha dhe aktualisht punonte në sektorin e artit bashkëkohor.
E pyetur se çfarë e shtyu të kantidonte në Greqi zonja Vardhami tha se ishte aktiviste e të drejtave feministe e ato të emigracionit prej disa vitesh dhe kishte qenë pjesë aktive në organizime të shumta.
“Jam e aktivizuar me grupe te ndryshme sociale dhe midis te tjerave dhe me lëvizjen ndeëeuropiane “Diem25”. Kjo e fundit është e lidhur me nismën politike “MeRA25”, e cila më ka ofruar kandidaturën për zgjedhjet”, tha zonja Vardhami.
E pyetur se çfarë mund të bëhet me shumë per te drejtat e emigranteve te huaj,përfshirë ata shqiptarë në Greqi që përbëjnë rreth 60% të të huajve zonja Vardhami u përgjigj:
“Mund dhe duhet te bëhet shumë më tepër. Të gjithë emigrantët e huaj si edhe ata shqiptarë përjetojne probleme të thella sociale. Problemet e marrjes se pensioneve, pajisjes me nënshtetësi, hasin ende pengesa ligjore. Ka probleme bazike për jetën e komunitetit dhe e vetmja mënyre drejt zgjidhjes se tyre eshte aktivizimi social e politik dhe përfaqësimi në qendrat e marrjes së vendimeve” , tha zonja Vardhami.
Në zgjedhjet parlamentare të 21 Majit që mbahen në Greqi po marrin pjesë në garën elektorale shtatë pjesëtarë të komunitetit të emigrantëve shqiptarë që jetojnë prej vitesh në vendin fqinj.
Shumica e kandidatëve nga komuniteti shqiptar janë të rinj të talentuar nga brezi i dytë i emigrantëve që kanë ndarë arsimimin në Greqi dhe Angli dhe janë përfshirë në jetën politike greke duke qenë edhe pjesë e debateve dhe përfaqësimeve në median greke.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë greke të Emigracionit nga viti 2011, kur Greqia miratoi Ligjin e ri për nënshtetësinë, deri më 31 dhjetor të viti të shkuar, nënshtetësinë greke e kanë përfituar 115.815 shtetas shqiptarë.