Zgjedhjet në KOKSH, Fidel Ylli zgjidhet president

Fidel Ylli u zgjodh presidenti i ri i KOKSH-it gjatë asamblesë së përgjithshme të Komitetit Olimpik Shqiptar, e cila u parapri nga kontradikta të mëdha, por dhe me përjashtim nga votimi të 4 federatave, ku më e rëndësishmja ishte ajo e FSHF-sw, që kërkoi dhe më parë shtyrjen e këtij procesi. Me 40 vota, nga 57 të mundshme, Ylli mposhti konkurrencën e Vojo Malos, që mori 12 vota në total, dhe Martin Bibës me 4 vota.

Pas shtyrjes dhe ndryshimit të vendit të asamblesë, nga hotel “Mak Albania” në “Stella Resort”, që në fillim nga disa federata pjesëmarrëse gjatë prezantimit të kandidaturave u ngrit si shqetësim mungesa e disa federatave në votim, me theksin që u vu te përjashtimi i FSHF-së nga sekretari i Federatës së Automobilizmit.

Në pozicionin e kandidatit përpara zgjedhjes zyrtare, Fidel Ylli e theksoi se ishte i pranishëm si kandidat dhe jo si organizator, por shprehu dëshirën për të patur në krah federatën më të madhe në vend, atë të futbollit.

Sa i përket zgjedhjes së presidentit të KOKSH-it, nuk pati nevojë për balotazh, për shkak se zoti Ylli siguroi që në raundin e parë më tepër se 50 përqind të votave, duke fituar mandatin e tij për të drejtuar Komitetin Olimpik Shqiptar. Në fjalën e tij për mediat, Ylli deklaroi se do të bëjë maksimumin për zhvillimin e sportit, përkrahjes së olimpistëve dhe infrastrukturës në vend.

Shtuar 17.04.2021 05:04