Zgjedhjet lokale, Veliaj dhe Rama mbyllin fushatën në Kavajë

Në takimin përmbyllës të fushatës në Kavajë, drejtuesi politik i Partisë Socialiste të Qarkut te Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me kryeministrin Edi Rama, u kanë bërë thirrje qytetarëve të votojnë edhe në këtë mandat në krye të kësaj Bashkie Redjan Kralin.

Gjatë fjalës së tij, Veliaj tha se Kavaja ka pasur mbështetjen e Qeverisë dhe të Kryeministrit Rama në çdo projekt, në çdo ide, por mbi të gjitha në çdo ditë të vështirë, si ato të tërmetit që goditën edhe këtë qytet.

“Aty ku ka pas përçarje, kemi sjellë bashkim. Aty ku ka pas dhunë, kemi sjellë punë. Aty ku ka pas ndasi, aty ku kemi gjetur plagë, kemi shëruar dhe kemi ecur vetëm përpara me Edi Ramën dhe Redjan Kralin. Sot dua t’u them dy fjalë zemre: Edi Rama e do Kavajën. Edi Rama ka miratuar çdo projekt të Kavajës. Edi Rama ishte këtu me ne jo sot, por në ditët më të vështira të tërmetit, që të sigurohemi që janë 404 apartamente të reja. Edi Rama është siguruar që çdo ide që ka ardhur nga Kavaja të financohet që Kavaja të ecë vetëm përpara,” u shpreh Veliaj.

Ai tha gjithashtu se Kavaja nuk do kthehet më mbrapsht. “Dëgjoj ata të tjerët që thonë: Ne Kavajën e kemi në xhep. Thonë kështu për Kavajën, për Kamzën, për Shkodrën. Di t’ju them që Kavajën nuk e ka askush në xhep. Kavaja nuk është mish për top për të mbushur autobusët për Tiranë. Kavaja nuk është xhaketa e varur e askujt. Ka njerëz të ndershëm e punëtorë. Ndaj në këto 100 orë ju dua të gjithëve në gatshmëri, që Kavaja me Edin me Redin të ecin vetëm përpara. Në këto 100 orë ne duhet t’i themi çdo demokrati që partia më e rëndësishme është familja jote,” tha Erion Veliaj.

“Kur ne kishim nevojë, Edi Rama ishte këtu për ne, kurse Saliu me Ilirin ishin te Gjiri i Lalzit. Kur ne kishim nevojë të ndërtoheshin shtëpitë, Edi Rama ishte këtu me ne, Saliu me Ilirin non-grata dhe fuksi i sigurimit ishin te Gjiri i Lalzit. Kur ne kishim nevojë për vaksina Edi Rama erdhi këtu me ne dhe solli vaksinat, Saliu me Ilirin ishin tek Gjiri i Lalzit. Di t’ju them që të hënën Saliu dhe Iliri do vazhdojnë te Gjiri i i Lalzit por Edi dhe Redi do ta çojnë Kavajën përpara,” shtoi më tej Veliaj.


Shtuar 9.05.2023 18:33