Zgjedhjet e 6 marsit, PD zbulon nëse do të marrë pjesë

Nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku, ka reaguar për zgjedhjet e pjesshme lokale të dekretuara nga Presidenti Ilir Meta për t’u zhvilluar më 6 mars të këtij viti.

Tabaku ka konfirmuar pjesëmarrjen e PD-së në një deklaratë për shtyp, ku tha se do të nxjerrin kandidatët më të mirë.

“Sa i përket pyetjes së zgjedhjeve, ju falënderoj për interesin, por ju e dini se PD ka kaluar një proces shumë të gjerë konsultimi para zgjedhjeve të 25 prillit për përzgjedhjen e kandidatëve, që është bërë edhe për ata në nivel lokal. Ata i janë nënshtruar një procesi vettingu, procedure. Zgjedhjet lokale të 6 marsit tregojnë faktin, që ne e kemi thënë me vite, e kemi përsëritur sa herë, të degradimit të pushtetit të Edi Ramës, të lidhjes së pushtetit me krimin. Unë jam e sigurt, nga informacionet që kemi, që ka dhe të tjerë me lidhje kriminale. PD do të prezantohet me kandidatët më të mirë të mundshëm në këto zgjedhje, me kandidatët me integritet më të lartë. Ne kemi aleancë me qytetarët. E rëndësishme është që PD do të përfaqësojë vullnetin e atyre 670 mijë qytetarëve, që e votuan”, tha Tabaku.


Shtuar 20.01.2022 12:48