Zgjedhjet e 14 majit, Berisha: Administrata u shndërrua në polici elektorale

Ish-kryeministri Sali Berisha është ndalur sërish te zgjedhjet lokale të 14 majit, teksa vuri në dukje shkeljet që ndodhën sipas tij.

Në konferencën e përjavshme me gazetarët, Berisha tha se zgjedhësve iu ndryshua qendra e votimit pa paralajmërim dhe administrata u shndërrua në polici elektorale.

“Ankesat paszgjedhore janë një rutinë e zakonshme, por zgjedhjet, por farsa e 14 majit 2023, kishte specifika dhe fenomene të papara ndonjëherë në historinë 32-vjeçare të zgjedhjeve në Shqipëri.
Kështu, për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, Kodi Zgjedhor, shpallen publikisht dhe zyrtarisht që në fillim të fushatës nga Edi Rama, kinezëri partiake, çka do të thotë që nuk ekzistojnë për të.
Prandaj Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor u zëvendësuan në qindra e mijëra raste me vullnetin e tyre për të fituar me çdo kusht dhe çdo çmim.
Në prag të fushatës elektorale, ftohen në banket shefat e 61 komisiariateve për të treguar që Policia e Shtetit do të ishte në krahun e tij.
Edi Rama dhe vartësit e tij caktuan kryetarin e koalicionit opozitar dhe për asnjë arsye nuk pranuan kryetarin e këtij koalicioni, vetëm e vetëm të dëmtonin sa më shumë këtë koalicion pasi kishin frikë dhe tmerr nga Sali Berisha dhe emri i tij.
Edi Rama për herë të parë në histori dërgoi zarfin me 50 mijë lekë për 680 mijë pensionistë. Edi Rama rriti rrogat e dhjetëra mijëra pensionistëve në mes të fushatës elektorale.
Është hera e parë që arrestohet në prag të votimit kandidati i një bashkie. Është hera e parë që 1.3 milionë zgjedhësve u ndryshohet qendra e votimit pa asnjë paralajmërim. Është hera e parë që komisionet zgjedhore ishin 6 me 1 ose 7 me 0 për qeverinë.
Si kurrë më parë, administrata u shndërrua në një polici elektorale. Ata terrorizuan dhjetëra mijëra qytetarë dhe biznese në mbarë vendin”, tha Berisha.


Shtuar 26.05.2023 12:20