Zgjedhja e Presidentit të ri, Fevziu: Ishte ndryshe në kohën e Nanos dhe Berishës

Gazetari i njohur Blendi Fevziu ka deklaruar se është shokuar kur ka dëgjuar dhe parë seancën në të cilën diskutohej për Presidentin e ri të Republikës.

Sipas Fevziut, tryeza e fundit e diskutimeve për kreun e ri të shtetit ishte absurde, pasi flitej për procedura dhe jo për thelbin e çështjes.

“Ndoqa seancën ku flitej për presidentin dhe u shokova. Unë jam njeri që njoh politikën prej 30 vjetësh. Ajo që më bënte përshtypje për shembull duke iu referuar një tryeze të vitit 2002 në të cilin kam qenë shumë i përfshirë midis Nanos dhe Berishës për zgjedhjen e presidentit që ishte Z. Moisiu atëherë ose tryezën e vitit 2007. Problemi kryesor ishte që të dy këto tryeza ishin tryeza politike dhe është folur mirëfilli për kandidatin që do të vijë. Dëgjova tryezën e fundit dhe ishte absurde, flitej për procedura. Çfarë rëndësie ka procedura nëse e bën çdo 7 ditë ose çdo 4 ditë?! Kjo histori e tregon se politika shqiptare ka rënë në pikën më mjerane që merret me detaje dhe jo me thelbin. Roli i presidenti është demontuar në thelbin e tij”,-tha Fevziu për Klan News.