Zgjatja e “vettingut”, çfarë mori në këmbim PD për votën PRO

Partia Demokratike vendosi që të votojë “pro” zgjetjes së organeve të vetting-ut, gjatë seancës plenare të ditës së sotme.

Sipas burimeve, bëhet me dije se me ndërhyrjen edhe të ndërkombëtarëve, demokratët dhe socialistët kanë rënë dakord përmes një marrëveshjeje, ku secila palë fiton dhe lëshon diçka.

Demokratët kanë vendosur tashmë që të votojnë pro projektligjit për zgjatjen e mandatit të organeve të vettingut duke marrë në këmbim kryerjen e Reformës Territoriale si edhe të asaj Zgjedhore.

Abcnews.al mëson se fill pas votimit të sotëm të deputetëve për zgjatjen e mandatit të organeve të vettingut, ata do ta çojnë kartonin për ngritjen edhe të dy komisioneve për zbatimin e kërkesave të demokratëve.

Reforma Territoriale dhe ajo Zgjedhore ishin dy kushtet kryesore të PD-së për të dhënë votën pro zgjatjes së mandatit të organeve të vettingut, ndërsa qendrimet mes palëve duket të jenë zbutur para ditës së sotme.

Një ditë më parë abcneës.al raportoi mbi negociatat mes palëve ku si fillim PS lëshoi pe në ecurinë e punës së Komisionit Hetimor për inceneratorët duke miratuar planin e hetimit, i cili kishte ngecur prej disa kohësh.

Ky ishte edhe hapi i parë dhe pritej që sot demokratët të bënin lëshimin e tyre duke dhënë votat pro zgjatjes së mandatit të organeve të vettingut./albeu.com/


Shtuar 10.02.2022 10:14