Prej ditësh, mandati i vetëm i koalicionit ‘Nisma Shqipëria Bëhet’, është kthyer në mollë sherri mes përfaqësuesve të këtij formacioni politik.
Fillimisht, ishte kandidati i renditur i 9 në listën e mbyllur Zeqir Kordhoni me një shkresë drejtuar KQZ-së, ku pretendoi mandatin e deputetit! Kjo ishte zanafilla e një debati të ashpër mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit (nipi i Kordhonit), të cilët nuk i kursyen as akuzat ndaj njëri-tjetrit.
Mbrëmjen e djeshme, Zeqir Kordhoni, ka hedhurn akuza ndaj Adriatik Lapajt.
Sipas tij, Lapaj i ka gënjyer, pasi pati premtuar se nëse koalicioni do të merrte vetëm një mandat, do të jepte dorëheqjen.
“Adriatiku na gënjeu! Unë jam njeri i thjeshtë me 1000 halle, por u angazhova në këtë fushatë se besova që po ndryshojmë Shqipërinë. Kur Adriatiku na dha llafin që po morëm vetëm një mandat, do jap dorëheqjen, e besova. Kam daë në diell e shi, mblodha firma, shpërndava fletëpalosje, organizova takime, kam ndejt pa gjumë në numërim për të ruajtur votat, vetëm që të fitonim. Siç kisha dhënë llafin, në 11 Maj firmosa dorëheqjen. Por, kur pashë që Adriatiku u fsheh dhe nuk po e mbante fjalën, u ndjeva i përdorur. Unë s’jam kalama që të tallet njeri me mua. Unë nuk ha bar”, komentoi Kordhoni në A2 CNN.
Më tej, Kordhoni ka deklaruar se Lapaj në vend që të reflektonte, u soll si gangster. Më tej ai tha se nuk do që të bëhet deputet por nuk do të lejojë që të shkelet më këmbë.
“Kur shkova në KQZ, Adriatiku në vend që të reflektonte, u soll si gangster. Unë nuk dua të bëhem deputet, por nuk mund të më shkelë njeri me këmbë. Adriatiku dhe të gjithë ta kuptojnë se nuk mund të tallen me njerëzit kështu. O thuaje fjalën dhe mbaje… ose (e dini vetë)”, tha Kordhoni.