Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kaluar kufirin me Poloninë përpara vizitës së tij zyrtare në kryeqytetin Varshavë, tha të mërkurën këshilltari i presidentit polak për politikën e jashtme.
“Mund të them se presidenti Zelensky ka kaluar kufirin polak”, tha Marcin Przydacz për transmetuesin privat TVN24.
Vizita e Zelenskyt në Poloninë fqinje, një aleat i ngushtë që ka luajtur një rol të madh në nxitjen e mbështetjes ushtarake dhe politike perëndimore për Kievin, vjen ndërsa Ukraina planifikon një kundërofensivë për të rimarrë tokën e pushtuar në lindje dhe jug të saj.
Polonia ka pranuar më shumë se 1 milion refugjatë ukrainas gjatë 13 muajve të fundit të luftës.
Anëtari i NATO-s ka luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në bindjen e fuqive të tjera perëndimore për të furnizuar Ukrainën me tanke dhe armatime të tjera./Albeu.com/