Pas vizitës në Londër dhe Paris, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky do të shkojë sot në Bruksel, për të marrë pjesë në samitin e BE-së.
Presidenca franceze bën me dije se Zelensky do të niset nga Parisi për në Bruksel bashkë me prezidentin francez Emmanuel Makron.
Dy liderët pritet të mbërrijnë në Bruksel rreth orës 10:00. Udhëtimi i Zelenskyt në Evropë është udhtëimi i dytë jashtë vendit që prej fillimit të pushtimit rus, 24 shkurt 2022.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Zelensky kreu një vizitë zyrtare në Uashington.
Dje, presidenti ukrainas shkoi në Britani, aletja më e ngushtë e Ukrainës, pas SHBA-ve për sa i përket dhënies së ndihmës ushtarake. Më pas Zelensky shkoi në në Francë, ku darkoi me Makronin dhe kancelarin gjerman Olaf Soltz .
Zelensky i kërkoi Londrës dhe Parisit që t’i sigurojnë vendit të tij avionë luftarakë ” sa më shpejt të jetë e mundur” në mënyrë që të zmbrapsin sulmet ruse.
Një mesazh që pritet ta përsërisë sot kur t’iu drejtohet liderëve të 27 vendeve anëtare të BE-së në Bruksel.
Përveç kësaj, presidenti ukrainas do t’i drejtohet edhe Parlamentit Evropian gjatë vizitës së tij në kryeqytetim belg.
Edhe pse Zelensky nuk ka gjasa të marrë angazhime të menjëhershme në këtë drejtim, kjo vizitë në Bruksel i jep atij mundësinë për t’iu drejtuar liderëve evropianë ballë për ballë për herë të parë që nga pushtimi rus.
Makron dhe Soltz shmangën të përgjigjen në pyetjen nëse do t’i ofronin avionë luftarakë Ukrainës , por u zotuan se do të vazhdojnë ta mbështesin ushtarakisht, “për aq kohë sa duhet”, “deri në fitore”.
“Franca dhe Gjermania kanë potencialin për të ndryshuar lojën dhe kështu i shoh unë bisedimet tona sot ”, theksoi Zelensky nga ana e tij.
“Sa më shpejt të marrim armë të rënda me rreze të gjatë dhe pilotët tanë të marrin avionë modernë aq më shpejt do të përfundojë ky agresion rus,” shtoi ai./albeu.com/