Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka përjashtuar mundësinë e një armëpushimi me Rusinë, raporton agjencia “AP”.
Ai ka thënë se armëpushimin do ta shfrytëzonte Rusia për t’u riarmatosur e rigrupuar, që ta vazhdojë pushtimin e Ukrainës.
“Një pushim në fushëbetejën ukrainase nuk do të nënkuptonte pushim në luftë. Pushimi do t’i shkonte përshtat Rusisë. Mund të na shkatërrojë më pas”, tha Zelensky gjatë vizitës së tij në Estoni.
Rusia nisi pushtimin e shkallës së plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Pas 22 muajve luftë, dyja palët të sigurojnë armatim.
Zelensky ka thënë se Moska është duke pranuar predha të artilerisë dhe raketa nga Koreja e Veriut, si dhe dronë nga Irani. Më 4 janar, Shtëpia e Bardhë ka cituar zyrtarët e inteligjencës amerikane duke thënë se Rusia ka siguruar raketa balistike nga Koreja e Veriut dhe po kërkon të tilla edhe nga Irani.
Zelensky ka zhvilluar vizitë dyditore në shtetet baltike, duke kërkuar armatim shtesë.
“Tirania duhet të mposhtet. Tirania duhet të humbe. Gjithmonë”, ka thënë Zelensky.
Zelensky ka thënë se me kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, ka diskutuar edhe për ukrainasit që kanë ikur në Estoni kur nisi lufta.