Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, mbajti një fjalim para liderëve perëndimorë në samitin e BE-së në Bruksel.
“Lavdi Ukrainës”, është fraza me të cilën Zelensky zgjodhi të hapë fjalimin e tij, ndërsa mori duartrokitje të shumta nga të pranishmit në Samit, shkruan BBC.
Presidenti ukraias tha se Rusia po sulmon mënyrën evropiane të të jetuarit. Ai tha në fjalimin e tij se Rusia nuk po sulmon vetëm ukrainasit, por edhe mënyrën evropiane të jetesës.
Sipas tij Putini po përpiqet të “asgjësojë” vlerat evropiane përmes “luftës totalItare”.
“Ne nuk do ta lejojmë këtë,” tha ai, duke shtuar se Putin është “një diktator” që përdor armët sovjetike për të arritur qëllimin e tij.
Ai bën thirrje për mbështetjen e Evropës në fushën e betejës. Zelensky thotë “ne duhet të mbrohemi”.
“Është e rëndësishme jo vetëm për shtetet e Evropës, jo vetëm për komunitetet dhe shoqëritë e Evropës,” thotë ai, shkruan AlbEu.com.
“Pavarësisht se kush jemi.. ne gjithmonë luftojmë kundër mosrespektimit.” “Parakushti i ëndrave tona për fëmijët dhe nipërit tanë është paqja dhe siguria.”
Ndër të tjera Zelensky shprehu dëshirën e madhe që Ukraina të bëhet pjesë e BE-së.
“Ukraina do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian,” thotë ai.
Ukraina dhe BE-ja e kanë bërë “të dukshme” forcën e tyre me “qasjen e tyre parimore dhe energjike të gjithë jemi të barabartë”.
Pas fjalimit të Zelensky-t, presidentja e Parlamentit Europian i ka dhuruar presidentit ukrainas flamurin e Bashkimit Europian.
Ai e mbajti flamurin së bashku me Roberta Metsola, ndërsa të pranishmit shpërthyen në duartrokitje.
Menjëherë pas pushtimit rus, Ukraina aplikoi për anëtarësim në bllok dhe në qershor mori zyrtarisht statusin e kandidatit.
Presidenti ukrainas filloi një turne të papritur në Evropë më 8 shkurt, me vizita në Britani dhe Francë, duke shënuar udhëtimin e tij të dytë jashtë vendit që nga pushtimi rus, pothuajse një vit më parë.
Pas vizitës në Britani, presidenti ukrainas u nis për në Paris për darkë me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz.
Pjesëmarrja e tij në samitin e BE-së në Bruksel do të jetë “një sinjal i solidaritetit evropian”, tha kancelari gjerman Olaf Scholz, i cili u takua me Zelenskyn më 8 shkurt në Francë.
“Ukraina mund të mbështetet te Franca, partnerët e saj evropianë dhe aleatët për të fituar luftën. Rusia nuk mund dhe nuk duhet të fitojë”, tha Macron para darkës së tyre të punës, raporton AlbEu.com.
Turneu evropian i Zelenskyt dhë kërkesat e tij për armë më të avancuara erdhën në kohën kur Ukraina po përgatitet për një ofensivë ruse dhe po zhvillon planet e veta për të rimarrë territoret e pushtuara nga Rusia.
Mbështetja perëndimore ka qenë kyçe për mbrojtjen e ashpër të Kievit.
Zelensky, një ditë më parë, gjatë vizitës së tij në Londër, falënderoi popullin britanik për mbështetjen e tyre që nga “dita e parë” e pushtimit të Moskës gati një vit më parë, ndërsa kryeministri britanik Rishi Sunak tha se avionët luftarakë ishin “pjesë e bisedës” për ndihmën për Ukrainën.
“Asgjë nuk është jashtë tryezës”, tha ai në një konferencë shtypi në mbrëmje në një bazë të ushtrisë britanike. “Ne duhet të armatosim Ukrainën në një afat të shkurtër, por ne duhet ta mbështesim Ukrainën për një afat të gjatë“, tha ai.
Zelensky tha se Ukraina ka nevojë për të gjitha llojet e furnizimeve, jo vetëm avionë, por edhe municione dhe raketa me rreze të gjatë.
Udhëtimi i Zelenskyt në kryeqytetet evropiane të mërkurën është ushëtimi i tij i dytë jashtë vendit që nga pushtimi i Rusisë më 24 shkurt 2022.
Në dhjetor të 2022, ai udhëtoi në Uashington për t’u takuar me Presidentin Joe Biden, prej nga edhe iu drejtua Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
/albeu.com/