Zbulohet videoja e re dhe detaje nga dosja, si ndodhi masakra e “Bllokut” ku u përfshi edhe Ervis Martinaj (VIDEO)

Në 4 Tetor të vitit 2018 në lokalin “Monopol” në ish-Bllok ai shpëton mrekullisht pas një konfrontimi me armë ku mbeti i plagosur. Truproja e tij Fabjan Gaxha humbi jetën. Në videon e siguruar nga Inside Story, shfaqen momentet kur brenda lokalit ndodh konfrontimi mes dy grupeve. Martinaj, konsiderohet si shkaktari i asaj ngjarje. Gjithçka kishte si pikënisje një konflikt me grupin e shtetasit Ervin Mata, një personazh i njohur si biznesmen por i përfolur shpesh në qarqe të errëta.

Së fundi, u zbuluan nga dokumentet që rrodhën në internet se ai takohej edhe me një personazh si Talo Çela, i akuzuar për seri vrasjesh. Referuar dosjes hetimore që Inside Story ka siguruar, rezulton se Martinaj pak minuta para ngjarjes, rreth orës 21:15 i linte një takim Ervin Matës.

Ky personazh, njihet me nofkën “Boli”, ashtu siç edhe ishte regjistruar në celularin e Martinajt si kontakt.

Vetëm një minutë më pas, Martinaj njofton njerëzit e tij të afrohen në bllok dhe nga mesazhet kuptohet se u thotë të pajisen me armë.

“Afrohu në Bllok. Mer naj gjë me vete”.

Më tej në dosje renditen disa mesazhe të tjera të Martinajt drejt njerëzve të tij në rrjetin Telegram.

“Mos vono. Çfarë vendi je. Lidhur me çunat. Afrohu. Me armë…”

Nëse analizon pamjet filmike, rreth orës 20:37 shtetasi Ervin Mata del nga lokali dhe dukej që komunikonte në telefon. Pronari i lokalit në dëshminë e tij ka deklaruar se në ato momente, Mata takoi partneren në trotuar ku kishin kaluar disa nga njerëzit e Martinajt dhe e kishin ngacmuar. Kjo mendohet të jetë një prej pistave të konfliktit.

Momenti i mbërritjes së Ervis Martinajt në lokal është në orën 21:26, teksa shoqërohej nga Eljon Hato që mbeti i plagosur dhe një person i paidentifikuar. Dy minuta më pas futet edhe viktima Fabian Gaxha.

Sapo ky i fundit është futur në lokal iu drejtua me sharje dhe ofendime Meviol Bilos, një ish-komando i forcave të ushtrisë që shërbente edhe si truprojë i Ervin Matës.

“Çfarë ke që shikon o ….”

Siç duket në kameran e sigurisë, saktësisht në 21:29 nis konfrontimi brenda lokalit. Për disa sekonda duket kaosi dhe përplasja mes personave. Disa shtetas nisin të dalin nga lokali njëri pas tjetrit.

Gaxha ka nisur ta qëllojë me qytën e pistoletës dhe me grushte. Në ato momente, Bilo ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar duke e lënë të vdekur. Në konfrontim u plagos me plumb në qafë edhe Vis Martini dhe njeriu tjetër i tij Eljon Hato.

Saktësisht në orën 21:29 minuta e 36 sekonda nisin të dalin njëri pas tjetrit grupi Mevjol Bilo, Ervin Mata, Geldo Hoti dhe Fabio Allushi.

Vetëm pak sekonda më pas largohet edhe Ervis Martinaj i plagosur i cili duket një moment që vendos dorën tek qafa për të frenuar hemorragjinë. Ky person që del nga lokali në orën 21:30 me kapele në kokë mendohet se është ish polici Santiago Malko, një prej njerëzve më të afërt të Martinajt që do të mbetej i vrarë në një tjetër ngjarje për të cilën do të flasim pak më poshtë.

Në video për disa minuta shfaqet në sfond I plagosuri rëndë Eljon Hato, një prej njerëzve të Martinajt. Ai zvarritet në tokë dhe në orën 21:34 afrohet dikush që e ndihmon duke e transportuar në spital./Top Channel

Shtuar 27.09.2022 22:38