Zbulohet se kush e publikoi videon e dhunës në Pallatin Mbretëror

Prokuroria e Tiranës, ka njoftuar nisjen e hetimeve për rastin e “dhunës në familje” të denoncuar nga princ Leka Zogu, ndaj ish-vjehrrit Gjergji Zaharia dhe ish-gruas Elia Zaharia.

Gjithashtu, prokuroria ka njoftuar se do të hetojë edhe lidhur me videon e konfliktit, e cila u publikua në media ditën e djeshme, ku shfaqet Elia Zaharia dhe princ Leka Zaharia.

Sipas Prokurorisë, videoja është dërguar në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pasi është bërë publike në media, ndërsa shton se zarfi ku ka qenë prova ka qenë i mbyllur.

“Ndërkohë, në lidhje me të dhënat e publikuara në media, ju bëjmë me dije se, nga ana e Prokurorisë kanë nisur verifikimet edhe në lidhje me publikimin e një videoje, provë materiale.

Nga verifikimet e para, ka rezultuar që materiali kallëzues është depozituar në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pasi videoja është publikuar në media të ndryshme dhe rezulton që zarfi ku është administruar prova të mos jetë i hapur.

Në lidhje me rastin në fjalë, është ngarkuar Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për të kryer veprimet hetimore përkatëse”.

Policia e Tiranës u akuzua dje nga Oborri Mbretëror se kishte shpërndarë në media pamjet e videos, por ajo e mohoi kategorikisht.

Ndërkohë një profil në Facebook, publikoi dje pamjet e dhunës mes dy ish-partnerëve. Profili me emrin “El Kod”, me 4939 miq, e ka publikuar videon 20 orë më parë, duke bërë edhe përshkrimin: “Sapo ma nisi princ Leka. Nuk paska patur aspak faj. Zonja Drama e paska renduar shume”.

 

Kjo nënkupton se personi që fshihet pas këtij profili, është një lidhje e afërt me princin Leka dhe nuk ka fare simpati për Elian që e quan “Zonja Drama”.

 

 

“El Kod” e ka publikuar videon pak minuta, pasi në media doli lajmi për dhunën mes Elias dhe Lekës dhe kërkesën për “Urdhër Mbrojtje”.

 


Shtuar 7.03.2024 11:57