Zbulohet një bazë armatimi që ‘furnizonte’ grupet kriminale, arrestohet 66-vjeçarja në Tiranë, një tjetër shpallet në kërkim (EMRAT)

Policia e Tiranës, ka finalizuar operacionin e koduar “Picalla”, duke goditur një bazë të dyshuar armatimi që shërbente për furnizimin e grupeve kriminale.

Gjatë ndërhyrjes, në një banesë në fshatin Picallë janë sekuestruar një arsenal i madh armësh, përfshirë 9 armë zjarri (5 automatikë, 1 pushkë dhe 3 pistoleta), 1 armë gjahu, silenciator, municione luftarake, si dhe pajisje të ngjashme me ato të Policisë, përfshirë uniforma dhe pajisje të ndryshme.

Të lidhura

None found

Në total janë gjetur rreth 900 fishekë, si dhe materiale shpërthyese si fitila zjarrpërcjellës dhe kapsolla detonatore.

Në kuadër të operacionit, policia arrestoi në flagrancë shtetasen Mejte Hoxha, 66 vjeçe, ndërsa u shpall në kërkim poseduesi i dyshuar i bazës, shtetasi Oltjan Qershori, 41 vjeç.

Sipas policisë, baza dyshohet se përdorej për furnizimin e grupeve kriminale me armë dhe municione.

Armët dhe materialet e sekuestruara do të ekzaminohen në Institutin e Policisë Shkencore për të verifikuar përdorimin e tyre në ngjarje të ndryshme kriminale.

Hetimet vijojnë për kapjen e personit të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Picalla”.

Goditet një bazë armatimi që dyshohet se shërbente për furnizimin e grupeve kriminale.

Sekuestrohen 9 armë zjarri(5 automatik, 1 pushkë dhe 3 pistoleta), 1 armë gjahu, silenciator, uniforma dhe pajisje të ngjashme me ato të Policisë, rreth 900 fishekë luftarakë, fitila zjarrpërcjellës dhe kapsolla detonatore.

Shpallet në kërkim poseduesi i bazës së armatimit, ndërkohë vihet në pranga një 66-vjeçare, nënë e bir.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operativo-ligjore, se në fshatin “Picallë” mbahej një bazë armatimi me qëllim shitjen e armëve grupeve kriminale, shërbimet e Policisë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Picalla”.

Gjatë operacionit u bë i mundur identifikimi dhe goditja e kësaj baze armatimi. Nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit O. Q., u gjetën dhe sekuestruan 5 armë zjarri automatike, 1 armë zjarri pushkë, 3 armë zjarri pistoleta, 1 armë gjahu, 1 bajonetë, silenciator, uniforma dhe pajisje të ngjashme me ato të Policisë, si dhe rreth 900 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, fitila zjarrpërcjellës dhe kapsolla detonatore.

Në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasja M. H., 66 vjeçe, banuese në Tiranë, ndërsa u shpall në kërkim shtetasi O. Q., 41 vjeç, banues në Tiranë.

Armët do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekspertizë, me qëllim verifikimin e përdorimit të tyre në ngjarje kriminale.

Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 11.04.2026 15:41