Tirana do të jetë mikpritëse e një samiti për Ukrainën, ku i pranishëm do të jetë edhe vetë Presidenti Volodymyr Zelensky.
Samiti do të mbahet me datë 28 shkurt. Ka qenë vetë kryeministri Edi Rama që paralajmëroi nga Shkupi samitin dhe vizitën e Zelenskyt në Tiranë.
Një ditë më pas, 29 shkurt, kryeqyteti do të presë liderët e Ballkanit Perendimor.
Mësohet se fokus i takimit do të jetë rrugëtimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE, ku pritet të diskutohet për objektivat e vendosura nga unioni për vendet e Ballkanit, si edhe krijimin e themeleve për hapat e ardhshëm në zbatimin e Planit të Rritjes dhe avancimit të bashkëpunimit dhe ndërveprimit me Komisionin Europian.
Kujtojmë se Komisioni Evropian, në nëntor 2023, propozoi një Plan të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili synon të zgjerojë përfitimet e Tregut Unik të Bashkimit Evropian në rajon përpara anëtarësimit formal, me synim kontributin pozitiv në rritjen ekonomike dhe përshpejtimin e konvergjencës socio-ekonomike me BE-në./albeu.com