Policia e Tiranës ka goditur dy ambiente ku organizoheshin lojëra fati në mënyrë të paligjshme.
Gjatë ndërhyrjes u arrestuan në flagrancë tre persona të identifikuar me inicialet, B. K., 20 vjeç, S. M., 24 vjeç dhe E. B., 18 vjeç.
Ata dyshohen se ishin të përfshirë në organizimin e basteve sportive dhe lojërave të fatit në dy lokale në kryeqytet.
Sipas policisë, në rrugën “Muhamet Deliu”, në lokalin që administrohej nga 24-vjeçari S. M. dhe ku punonte edhe 20-vjeçari B. K., viheshin baste sportive përmes telefonave celularë.
Ndërkohë, në një tjetër lokal në rrugën “Mysym Keta”, ku ishte i punësuar 18-vjeçari E. B., gjatë kontrollit u gjetën dy kompjuterë që përdoreshin për lojëra fati.
Nga kontrollet në të dy ambientet u sekuestruan 6 njësi kompjuterike me monitorë, 4 telefona celularë dhe disa bileta me baste sportive.
Policia bën me dije se kontrollet për zbulimin e rasteve të lojërave të fatit të paligjshme do të vazhdojnë edhe në zona të tjera.
Materialet janë dërguar në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme.
