Zbret në Tiranë në kërkim të ushqimit, kafsha e egër habit qytetarët

Qytetarët e kryeqytetit teksa po shijonin një kafë në një lokal pranë Teatrit të Operas dhe Baletit kanë vënë re një kafshë të rrallë për një qytet të zhurmshëm si Tirana.

Çakalli ishte ulur në një vazo dhe qëndronte duke vështruar i frikësuar qytetarët, për shkak se dhe ambienti ishte shumë larg habitatit të tij të zakonshëm. Gjitari mendohet të ketë zbritur në qytet natën në kërkim të ushqimit. Në momentin e parë kur punonjësit tentojnë ta kapin, çakalli bëhet agresiv, ndërsa e gjithë kjo situatë është parë me kureshtje nga klientët e lokalit dhe qytetarët që u afruan për të mos humbur këtë pamje të pazakontë.

Pasi është marrë nga grupi i ekspertëve, kafsha është karantinuar në një kafaz në Kopshtin Zoologjik në Tiranë për të mos u bërë rrezik nga ndonjë sëmundje mund të ketë. Burimet thonë se do i bëhen kontrollet veterinarie dhe më pas do lëshohet nëse do jetë në gjendje.


Shtuar 24.02.2024 19:37