“Zbërthehet” i penduari Alla: Një ditë pas vrasjes së Dorjan Shkozës, vërshuan urimet në telefonin “Sky” të Dumanit

Bashkëpunëtori i drejtësisë, Klevis Alla, është shprehur se është tronditur kur ka mësuar lajmin për vdekjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë.

Ndërsa sipas tij, për mikun e tij, Nuredin Dumani, kjo ngjarje ka sjellë një entuziazëm të madh, aq sa ai kishte vënë re se në telefonin e Dumanin, të nesërmen e krimit, kishin vërshuar urimet përmes telefonit “Sky” dhe Nuredini vetëm buzëqeshte.

Në rrëfimin e tij dhënë para dy prokurorëve të SPAK, të cilin “Ora Neës” e siguron Alla, thotë se ai ishte në dijeni të vrasjes së Dorjan Shkozës, dhe se nuk dinte se në çfarë rrethana, është vrarë Anxhelo Avdia.

Sipas tij vetëm pak momente para se të vritej Shkoza dhe Avdia, ai kishte lënë një takim me Dorjan Shkozën, takim i cili nuk u realizua kurrë.Alla në këtë vrasje dyshohet se ka shërbyer si karrem dhe është përdorur nga Nuredin Dumani, njësoj siç dhe ka shërbyer për rastin e vëllezërve Haxhia, duke i çuar mesazh për ti dhënë lekët.

“…vetëm pak para se të vritej, Doriani më ka telefonuar dhe më ka pyetur nëse do vonohesha shumë dhe unë i kam thënë se po vij. Telefonata dhe qëllimi i takimit tonë, ka qenë për arsye pune, sepse para dy-tre ditësh, më kishte kërkuar ti rregulloja, dy-tre makina që i kishin ardhur nga Italia, por unë isha shmangur për arsye se isha në dijeni të planit të bërë nga Nuredini dhe grupi i tij, për vrasjen e Dorjanit…” – tregon Klevis Alla.

Kur fola në telefon me Dorjanin, i thash Dorajnit se po vi dhe me prit në lagje. Ndërkohë unë në këtë kohë kam qenë me Nuredin Dumanin dhe pasi jam larguar prej tij dhe sapo u futa tek rruga kryesore për tek lagja e “Nishtullës”, dëgjova se ishte vrarë Dori dhe një person tjetër. Kam çuar makinën time tek shtëpia dhe kam dalë në lagje. Në këtë kohë kam dëgjuar se ishte vrarë edhe Anxhelo Avdia. Pas kësaj unë ika në shtëpinë time dhe kam qenë shumë i tronditur.

Ndërsa bashkëpunëtori i drejtësisë Klevis Alla, fut në dëshminë e tij si organizator të kësaj vrasje, të ndodhur në muajin Shkurt 2020, Nuredin Dumanin dhe ekzekutorë Besmir Haxhinë me pseudonimin “Lala”, Talo Çelën me pseudonimin “Moma” dhe Altin Ndocin me pseudonimin “Byrazeri”.

Alla shprehet se ka parë siluetën e këtyre tre personave, por ata ishin të maskuar dhe nuk kishte mundur ti njihte. Bashkëpunëtori tregon se tre emrat që kishin bërë vrasjen e dyfishtë, ja ka thënë Nuredin Dumani dhe këtë pohim ai ja ka treguar edhe prokurorëve të SPAK.

Ndërsa vetë Henrik Hoxhaj, tregon se vrasjen e dy personave e kishte bërë ai me Eljo Bitrin, kundrejt organizimit dhe financimit nga Nuredin Dumani.

Pyetje: Gjatë kohës që është vrarë Dorjan Shkoza, ku ka qenë Nuredin Dumani?

Përgjigje: S’qaroj se në vrasjen e Dorjan Shkozës, Nuredin Dumani nuk ka qenë ekzekutor, por ka qenë organizator. Me sa di unë ka qenë në një lokal pranë shtëpisë së tij në Nishtulla. Në momentin që në lagje ishte parë një mjet Mercedez me xhama të zi, Anxhelo Avdia, ishte ulur në tavolinë duke pirë kafe me Nuredin Dumanin dhe i kishte thënë se është një “Benz” me xhama të zi, që po leviz në lagje. Ishin ngritur nga kafja, dhe Anxhelo kishte dalë në rrugë për të parë se kush mund te ishte me atë makinë, ndërsa Nuredini me pretekstin se kishte frikë i kishte thënë se unë po iki në shtëpinë time urgjentisht. Në këto momente Nuredin Dumani, ka marrë dy çunat e tij me makinë për të patrulluar në lagje, që më vonë policia të mos ngrinte dyshime për të. Këto fakte mua mi ka treguar Nuredini, të nesërmen e ngjarjes.

Pyetje: Pas vrasjes së Dorjan Shkozës, a keni pasur ndonjë komunikim me ndonjërin nga autorët e vrasjes?

Përgjigje: Pas vrasjes nuk kam pasur asnjë komunikim me asnjërin prej autorëve. Të nesërmen rreth orës 9:30 të mëngjesit, më ka telefonuar Nuredini dhe më ka kërkuar për kafe. Jemi takuar tek karburant Dida në Shkozet dhe kemi pire kafe. Gjatë kafes kemi biseduar edhe për vrasjen e Dorjanit dhe dukej shumë i gëzuar për vrasjen e tij. Kujtoj se gjatë kohës që po pinim kafe, Nuredinin, e uronin gjithë kohës në telefonin “SKY” që përdorte ai telefon i kriptuar.

Klevis Alla sqaron se Dorjani, punonte tek servisi i tij, të cilin e hapte vonë, pasi natën së bashku me Talon Çelën, Altin Ndocin, dhe Dashnor Dumanin, kryenin vjedhje automjetesh, disa i binin tek Klevisi dhe disa të tjera i çonin tek Dorjani. Grupi kishin edhe vende të tjera ku i strehonin makinat e vjedhura, që sipas Klevisit nuk i dinte se ku ishin këto vende.

“…dua të sqaroj se nga këto ngjarje ndërtova marrëdhënie të mira me Altin Ndocin, dhe Drorjan Shkozën, rreth fundit të vitit 2019, na ka lindur një konflikt ndërmjet meje dhe Altin Ndocit, për arsye se Altini, nuk po më paguante lekët që më kishte premtuar më parë për fshehjen e makinave të vjedhura që unë i mbaja në servisin tim. Për këtë fakt kisha folur edhe me Dorjan Shkozën dhe ai më kishte dhënë të drejtë. Në atë kohë kujtoj se kisha një makinë të vjedhur, të cilën ma kishin sjellë tek servisi Besmir Haxhia, Altin Ndoci dhe Dorjan Shkoza për ta mbajtur…”-shprehet Alla.

I kisha kërkuar Altin Ndocit, që të më paguante për mjetet që mbaja në servisin tim, ku kishim rënë dakord për të më paguar 100 Euro nata. Gjatë kësaj kohë ishin bërë rreth 1000 Euro që Altini, nuk po mi paguante. Në këtë kohë i kam thënë Dorianit, se Altini nuk po më paguan lekët që kemi rënë dakord dhe Dorjani më tha, se do ti them unë Altinit që të paguaj. Unë i thashë se nëse nuk më paguan, do të çmontoj Mercedezin “C-Clas 2013, 300” me benzinë, të cilin e kisha në garazh të parkuar.

Duke qenë se nuk po më paguante, e mora dhe e çmontova benzin që më kishin sjellë dhe e shita në pjesë dhe mora aq lek sa mendoja se meritoja për punën që bëja.

Kujtoj se kam qenë duke ngrënë drekë me disa shokë tek karburant “K…” në hyrje të autostradës dhe më ka telefonuar Dorjan Shkoza dhe më ka thënë: “…ku është makina që kishin lënë për ta mbajtur tek servisi im Besmiri, Dorjani dhe Altini…?”. Dhe unë i kam thënë se e kam tek shtëpia ime…. Ndërkohë këtë Mercedez, unë e kisha çmontuar dhe e kisha shitur për pjesë…”.

Unë nuk i tregova Dorjanit, se e kam çmontuar, duke i thënë më jep lekët që më takojnë që për ruajtjen e makinave që ishin “1000-2000 Euro” dhe merre makinën.

Më ka thënë Dorjani aty te restoranti, se mos e ke shit makinën dhe unë i kam thënë: “…jo nuk e kam shitur duke i gënjyer…”.

Dorjani më tha se: “…nëse të kërkon i madhi duhet të vish e ta takosh…”. Ndërsa unë i ktheva se: “…nëse duhet me taku të madhin, unë nuk vi me ju, i madhi të vij ose tek puna jote ose tek puna ime…”.

Në këtë takim të bërë ndërmjet meje, Dorjanit dhe Altinit gjatë bisedës të përbashkët, jemi konfliktuar në lidhje me shitjen e mjetit, ku Altini më ka goditur me grusht në sy që mu ka nxirë.

Ndërsa unë e kam goditur në shpatull me xhiro e makinës që kisha në dorë. Në këtë konflikt, ka qenë i pranishëm Dorjan Shkoza, dhe një shoku im i quajtur Shaqir Hoxha, i cili është nga Rrushbulli.

Të nesërmen më ka telefonuar Nuredin Dumani, i cili ishte kthyer nga Franca dhe më tha eja e më tako.

Unë shkova direkt të takoja Nuredinin dhe ai më tha: “…sot më ka ardhur Talo Çela me makinën e Altin Ndocit dhe më ka takuar tek shtëpia ime, ku më tha se ishe konfliktuar ti me Altinin…”. Po i thash “…jam konfliktuar, për një pagesë që nuk ma kanë bërë Altini…”.

Ndërsa Nuredin Dumani ma ktheu: “…pse nuk erdhe të më thoshe mbrëmë se do ja kisha fut ndonjë plumb Dorianit…”.

Unë i thashë se nuk doja me zgjat shumë muhabetin me të. Nuredini më tha se më ka thënë Talo Çela, thuaj çunit (për mua) të ketë kujdes, se ata janë të gishtit (e kishte fjalën për Besmir Haxhin dhe Dorjan Shkozën).

Pas kësaj ngjarje jam afruar më shumë me Nuredin Dumanin. Pa dijeninë e Nuredinit kam shkuar dhe kam takuar Dorian Shkozën dhe i kam thënë se më datë 29-30 Dhjetor 2019, unë do të sjell 1000 euro që t’ia japësh Altinit për makinën e vjedhur, që ja kisha çmontuar sepse nuk doja sherre me asnjërin prej tyre dhe ja kam çuar këto lekë, duke ja dhënë Dorjan Shkozës, që t’ja jepte Altin Ndocit dhe i kam thënë thuaj Altinit, se nuk keni më punë me mua.

Disa ditë pas vitit të ri 2020, e kam takuar në lagjen tonë, “Nishtulla”, Dorian Shkozën dhe e kam uruar për Vitin e Ri, ku kemi qëndruar disa minuta në këmbë. Sqaroj se gjatë kohës që unë kam qëndruar në këmbë me Dorianin, ka kaluar 2-3 herë Nuredin Dumani duke na parë.

Unë jam larguar me Dumanin në lokal “Univers” në Nishtullë. Jemi ulur në kafe bashkë unë dhe Nuredini dhe gjatë kafes më ka treguar disa foto, që i kishte të regjistruar në telefonin e tij “Enkro Chat” që ishin foto të miat, të servisit tim, të shtëpisë time dhe të familjes së tij dhe më ka thënë Nuredini, se këtu bëhet fjalë për jetën.

“…gjatë kohës që po pinim kafe me Nuredinin, ai më ka thënë, se këto foto mi ka dërguar një person, duke mos më treguar emrin e tij. Nuredini gjatë kafes me tha se është vrarë një njeri, dhe sërish s’më ka treguar se kush ishte ai persen dhe se Dorian Shkoza, i kishte thënë atij personit, se vrasjen e vëllait të tij e kishte kryer Nuredin Dumani. Nuredini më tha se vëllai i viktimës, kishte kryer hetime personale për Nuredinin se kush ja kishte vrarë vëllain dhe rezultonte, se Nuredin Dumani, ishte në burg në Francë, kur ishte kryer vrasja…”-tregon Klevis Alla.

Për këtë arsye Nuredinit, i ishte mbushur mendja se Dorian Shkoza me shokët e tij donte ta vriste Nuredinin dhe me këtë rast do me vrisnin edhe mua, për arsye se unë dija edhe disa muhabete për disa makina të vjedhura.

Këtë bisedë Alla tregon se ja ka thënë, Nuredini që unë të bindesha të bashkëpunoja me Nuredinin, që ta vrasim ne Dorjanin para se ai të na vrasë ne.