Zbardhet vdekja e minatorit në Bulqizë, arrestohet drejtuesi i fabrikës dhe dy punëtorë

Policia ka zbardhur ngjarjen e djeshme në fabrikën e pasurimit të kromit në Bulqizë, ku humbi jetën minatori 65-vjeçar.

Mësohet se viktima ka qenë duke punuar në zonën e grumbullimit të ujërave kulluese të fabrikës, së bashku me dy punëtorë të hypur  sipër një varke të improvizuar dhe gjatë lëvizjes me të, kanë humbur ekuilibrin duke rënë në ujë, ku si pasojë 65-vjeçri ka humbur jetën, dhe pas ngjarjes trupin e viktimës  e kanë dërguar në banesë.

Në lidhje me këtë ngjarje është arrestuar Drejtuesi i aktivitetet të Fabrikës së Pasurimit të Kromit, Ismail Nika dhe dy punëtorët, Rrushdi Koçi dhe Avni Alliu, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” “Moskallzim Krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” .

Njoftimi i policisë:

Me datë  09.12.2021, rreth orës 13.30., është marrë informacion se tek fabrika e pasurimit të kromit  Bulqizë,  në rrethana të pa qarta kishte humbur jetën  shtetasi M. K , 65 vjeç, banues në Bulqizë.

Menjëherë është ngritur grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë dhe nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi M. K., (punëtor në subjektin Fabrika e Pasurimit të Kromit Bulqizë), ka qenë duke punuar në zonën e grumbullimit të ujërave kulluese të fabrikës, së bashku me shtetasit Rr. K., dhe A . A., të hypur  sipër një varke të improvizuar dhe gjatë lëvizjes me të, kanë humbur ekuilibrin duke rënë në ujë, ku si pasojë shtetasi M. K., ka humbur jetën, dhe pas ngjarjes trupin e viktimës  e kanë dërguar në banesë.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve : I . N., 53 vjeç, banues në Tiranë me detyrë Drejtuesi i aktivitetet të fabrikës së pasurimit të kromit, Bulqizë, i dyshuar se ka kryer veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”,  “Moskallzim Krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” e kryer ne bashkëpunim.

Rr. K., 52 vjeç, A . A., 38 vjeç, (punëtorë në këtë fabrikë) të dyshuar se kanë kryer veprat penale “Moskallzim Krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” .

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjyaktës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme./albeu.com


Shtuar 10.12.2021 10:12