Ditën e sotme, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, priti në Presidencë Mbretin e Jordanisë, Abdullah II bin Al-Hussein.
Mbreti jordanez, zhvillon sot një vizitë zyrtare në Shqipëri, me ftesë të Presidentit të Republikës.
Është zbardhur takimi tête-à-tête mes Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, dhe Mbretit të Jordanisë, Abdullah II, zhvilluar në kuadër të vizitës së tij zyrtare.
Në fokus të bisedimeve, ka qenë rritja e dialogut politik dhe thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar midis dy vendeve.
Në fjalën e tij, Presidenti Begaj, theksoi se është me rëndësi të rriten shkëmbimet tregtare dhe të promovohen investimet jordaneze në Shqipëri, duke vlerësuar potencialet e mëdha që ofron vendi ynë.
Gjithashtu, në takim u diskutua për çështje të politikës rajonale dhe ndërkombëtare.
Presidenti Begaj, vlerësoi mbështetjen e Jordanisë për Kosovën, si në procesin e njohjeve të reja ndërkombëtare, ashtu edhe në anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.
Një tjetër temë e rëndësishme, ishte forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Presidenti Begaj, konfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për hapjen e një zyre ndërlidhëse të NATO-s në Jordani, duke theksuar se Jordania është një partner i rëndësishëm në krahun jugor të Aleancës Atlantike.
Presidenti i vendit vlerësoi gjithashtu, Iniciativën e Procesit të Aqaba-s, të promovuar nga Jordania, si një nismë e suksesshme në luftën globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Ai e cilësoi Jordaninë si një “kolonë të fortë stabiliteti” në Lindjen e Mesme, duke nënvizuar nevojën për forcimin e bashkëpunimit në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë.
Në lidhje me situatën në Lindjen e Mesme, Presidenti Begaj dhe Mbreti Abdullah II, ndanë të njëjtin qëndrim se zgjidhja me dy shtete është e vetmja rrugë e drejtë, për arritjen e paqes së qëndrueshme në rajon.