Policia e Tiranës, ka zbardhur dinamikën e plagosjes së rëndë të një 26-vjeçari, ngjarje e ndodhur më 6 dhjetor 2025 në rrethrrotullimin e zonës së Freskut.
Në kuadër të operacionit “Porosia”, janë identifikuar tre persona të përfshirë në rast, mes tyre dy porositësit dhe njëri nga autorët.
Ky i fundit, Helidon Marku 49-vjeç, është vënë në pranga, ndërsa vijojnë kërkimet për kapjen e dy porositësve, Gjokë Ndrevataj dhe Xhemal Uka dhe personave të tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në sulm.
Po ashtu, një 33-vjeçar është proceduar penalisht për moskallëzim të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Zbardhet dinamika e ngjarjes së ndodhur më datë 06.12.2025, te rrethrrotullimi i zonës së Freskut, ku u plagos rëndë, me sende të forta, një 26-vjeçar.
Identifikohen 3 shtetas të përfshirë në këtë rast, konkretisht 2 porositësit e plagosjes dhe njëri nga autorët. Vihet në pranga ky i fundit dhe punohet intensivisht për kapjen e 2 porositësve.
Të tre shtetasit e përfshirë, me precedentë penal të theksuar për krime kundër personit. I arrestuari, me precedent edhe për armëmbajtje pa leje.
Procedohet penalisht një shtetas që dyshohet se ka shoqëruar autorin e plagosjes, te vendi i kryerjes së krimit, dhe nuk ka kallëzuar rrethana të rastit.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të plagosjes së rëndë të shtetasit F. Y., me sende të forta, më datë 06.12.2025, te rrethrrotullimi i zonës së Freskut, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në kuadër të operacionit “Porosia”, identifikuan 3 shtetas të përfshirë në këtë rast, konkretisht H. M., 49-vjeç, Gj. N., 36-vjeç dhe Xh. U., 30-vjeç.
Nga këto veprime rezultoi se 36-vjeçari dhe 30-vjeçari, për motive të dobëta, kanë porositur shtetasin H. M., për të kryer plagosjen.
Në vijim të veprimeve operacionale, 49-vjeçari u kap dhe u vu në pranga, ndërkaq po punohet për kapjen e shtetasve Gj. N. dhe Xh. U., si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që dyshohet se janë përfshirë në plagosjen e 26-vjeçarit.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin T. D., 33-vjeç, pasi dyshohet se ka shoqëruar shtetasin H. M., për të kryer krimin, si dhe ka refuzuar të deklarojë në polici, rrethana të kësaj ngjarjeje, për të cilat dyshohet se ka patur dijeni.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
